Pas tetë vitesh planifikimi dhe ndërtimi, Qendra e Civilizimit Islam (CISC) në Tashkent të Uzbekistanit pritet të hapet në fillim të vitit 2026. Projekti, me vlerë rreth 150 milionë dollarë, është konceptuar si një hapësirë e kombinuar muzeale dhe kërkimore, me synimin për të rikthyer në vëmendje historinë e pasur të vendit si qendër e dijes dhe kulturës islame. Sipas drejtorit të qendrës, Firdavs Abdukhalikov, sfida më e madhe ishte si të prezantohej ndikimi i figurave të mëdha historike në një mënyrë bashkëkohore dhe tërheqëse për brezat e rinj.
Ndërtesa monumentale, më e madhe se Shtëpia e Bardhë dhe disa herë më e lartë se shenja e famshme “Hollywood”, mbulohet nga një kupolë e madhe 65 metra. Gjatë viteve të punës, u angazhuan rreth 1.500 ekspertë nga më shumë se 40 vende, duke kontribuar në aspektet shkencore, arkitekturore dhe kulturore të qendrës.
Qendra përfshin hapësira ekspozuese me teknologji moderne, ku vizitorët mund të përdorin realitetin virtual dhe inteligjencën artificiale për të ndërvepruar me “portrete të gjalla” të dijetarëve të shquar historikë, ndërsa fëmijët mund të eksplorojnë fusha si astronomia, mjekësia, letërsia dhe arti. Kati i dytë do të shërbejë si qendër kërkimore, me një bibliotekë prej mbi 200.000 librash të hapur për studiues ndërkombëtarë.
Islamit iu dha një rol kyç në formimin kulturor të Uzbekistanit që prej shekullit të VII, periudhë kur rajoni përjetoi një epokë të artë. Qytetet historike si Samarkand dhe Bukhara u bënë nyje qendrore të Rrugës së Mëndafshtё, rrugë tregtare që për 1.500 vjet lidhi Lindjen me Perëndimin. Dhe në shekujt XV–XVI, gjatë Perandorisë së Timuridëve, rajoni përjetoi një rilindje të dytë artistike dhe shkencore — frymëzim ky edhe për arkitekturën e qendrës së re, e pasur me harqe të gdhendura, pllaka mozaiku dhe kupola blu.
Gjatë periudhës sovjetike, praktikat fetare dhe trashëgimia islame u shtypën, dhe shumë objekte të çmuara kulturore u larguan nga vendi. Me pavarësinë në vitin 1991, filloi një proces rikthimi dhe rivlerësimi historik. Qendra ka marrë pjesë në ankande ndërkombëtare — si Christie’s dhe Sotheby’s — për të rikthyer rreth 2.000 objekte muzeale, përfshirë një nga dorëshkrimet më të vjetra të Kuranit, atë të Uthmanit të shekullit të VII, si dhe një koleksion prej 114 dorëshkrimesh të shenjta.
Megjithatë, projekti nuk ka mbetur pa kritika, përfshirë pyetje mbi kostot dhe transparencën e financimit, si dhe shqetësime për lirinë fetare në vend. CISC ka refuzuar të komentojë mbi burimin e fondeve. Një zjarr gjatë ndërtimit në shtator shkaktoi vonesa, por punimet kryesore tashmë kanë përfunduar dhe hapja është parashikuar për mars 2026.
Me rreth 60% të popullsisë nën 35 vjeç, drejtori i qendrës thotë se ky projekt i dedikohet brezit të ri. “Ne duhet t’i frymëzojmë dhe t’u tregojmë historinë tonë të madhe përmes inovacionit dhe kreativitetit,” tha Abdukhalikov për CNN.




(Pёrshtatur nga CNN)






