Bill Clinton dyshohet se ka mbrojtur Donald Trump gjatë dëshmisë së tij para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein.
Sipas përfaqësuesit republikan James Comer, kryetar i komitetit, Clinton u tha ligjvënësve gjatë një ndërprerjeje të seancës se: “Trump nuk më ka thënë kurrë asgjë që të më bëjë të mendoj se ishte i përfshirë.”
Por ky interpretim u kundërshtua menjëherë nga përfaqësuesi demokrat Robert Garcia, i cili deklaroi se “ajo që tha Comer nuk është një përshkrim i saktë”. Sipas tij, dëshmia e Clinton ka ngritur “disa pyetje të reja shumë të rëndësishme në lidhje me komentet që Presidenti Trump ka bërë në të kaluarën”.
Nga ana tjetër, vetë Donald Trump reagoi ndaj zhvillimeve duke kritikuar aleatët e tij republikanë për vendimin për ta detyruar Clinton të dëshmojë. Duke folur para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, ai tha: “Më pëlqen ai. Nuk më pëlqen ta shoh të rrëzuar, por ata me siguri më ndoqën.”
Clinton u bë ish-presidenti i parë në histori që detyrohet të dëshmojë para Kongresit kundër vullnetit të tij. Gjatë seancës në Chappaqua, Nju Jork, ai këmbënguli në pafajësinë e tij, duke deklaruar: “Nuk pashë asgjë dhe nuk bëra asgjë të gabuar.”
Dëshmia e tij u përqendrua në marrëdhëniet me Epstein dhe në mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë e trajtoi çështjen. Jashtë sallës, ligjvënës demokratë deklaruan se “sot po flasim me presidentin e gabuar”, duke shtuar presionin që edhe Trump të paraqitet për të dëshmuar.
Si Trump ashtu edhe Clinton janë përmendur dhjetëra mijëra herë në dosjet e reja të Epstein të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, çka ka shtuar kërkesat për transparencë të plotë.
Në këtë kuadër, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick po përballet gjithashtu me thirrje për të dëshmuar, pasi dokumentet tregojnë se ai kishte vizituar ishullin e Epstein edhe pasi kishte pretenduar se kishte ndërprerë çdo lidhje me të. Trump e mbrojti Lutnick duke thënë se ai “është një djalë shumë i pafajshëm”.
Trump shprehu hapur simpati për Clinton, duke deklaruar: “Më shqetëson që dikush po i kundërvihet Bill Clintonit. Shiko, mua më pëlqen Bill Clinton. Më pëlqen ende Bill Clinton. Më pëlqente sjellja e tij ndaj meje. Mendoja se më kuptonte. Ai më kuptonte.”
Gjatë dëshmisë, Clinton kritikoi republikanët për detyrimin e Hillary Clinton të paraqitej një ditë më parë, duke theksuar se ajo “nuk kishte të bënte fare me Jeffrey Epstein”.
Clinton paralajmëroi se shumë nga përgjigjet e tij do të ishin të kujdesshme dhe të kufizuara nga kujtesa: “Shpesh do të më dëgjoni të them diçka tё tipit “nuk e mbaj mend”. Kjo mund të mos jetë e kënaqshme. Por nuk do të them diçka për të cilën nuk jam i sigurt.”
Ai theksoi se ngjarjet kishin ndodhur shumë vite më parë dhe se, i lidhur nga betimi, nuk do të spekulonte: “Jam i detyruar nga betimi im të mos spekuloj ose të hamendësoj. Kjo nuk është vetëm për përfitimin tim, por sepse nuk ju ndihmon që unë të luaj rolin e detektivit 24 vjet më vonë.”
(Burimi: Daily Mail)






