NASA ka publikuar imazhet e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II, teksa kapsula Orion po udhëton drejt Hënës, duke sjellë pamje mahnitëse të Tokës nga hapësira që rikujtojnë sa i vogël dhe i bashkuar duket njerëzimi nga larg.
Një nga fotografitë e para të publikuara nga misioni tregon Tokën të parë nga dritarja e anijes Orion, pasi u përfundua manovra për hyrjen në trajektoren drejt Hënës më 2 prill. Në imazh dallohen dy aurora – në pjesën e sipërme djathtas dhe poshtë majtas – ndërsa në këndin poshtë djathtas shihet edhe drita zodiakale, teksa Toka eklipson Diellin.

NASA publikoi këto imazhe të para të realizuara nga astronautët në bordin e kapsulës Orion të misionit Artemis II, gjatë udhëtimit drejt Hënës.
Fotot janë realizuar nga komandanti i misionit, Reid Wiseman, përmes pajisjes së tij personale – një tablet me kamerë – dhe paraqesin pamje spektakolare të Tokës nga hapësira.
Fotografia e parë u përshkrua nga qendra e kontrollit të misionit në Houston si një “kujtesë se, pavarësisht sa larg shkojmë, jemi ende një botë e vetme, që vëzhgon, shpreson dhe synon më lart”. Në momentin kur Dielli perëndon pas Tokës, në imazh shfaqen aurorat në dy skajet e planetit, ndërsa një brez i ndritshëm i dritës zodiakale duket në pjesën e poshtme.
Një tjetër imazh, i realizuar vetëm pak minuta më vonë me një kohë më të shkurtër ekspozimi, thekson shkëlqimin e natës në Tokë. Në të duken qartë dritat elektrike të shpërndara në sipërfaqen e planetit, ndërsa në skaj shihet reflektimi i dritës së diellit.

Një pamje tjetër nga dritarja e Orion është përshkruar si një “pikë blu e zbehtë”, e parë përmes syve të ekuipazhit.

Këto imazhe përputhen edhe me emocionet e shprehura nga astronautja Christina Koch gjatë një komunikimi me median në ditën e dytë të misionit.
“Pas pamjeve të jashtëzakonshme të Tokës dhe mundësisë për ta parë të gjithë planetin nga një dritare e vetme, ideja që do të kemi të njëjtën përvojë edhe me Hënën më emocionon edhe më shumë”, tha ajo.
(Burimi: CNN)





