Papa Papa Leo ka emëruar Ronald Hicks, 58 vjeç, si Kryepeshkop të Nju Jorkut, një vendim me peshë të madhe në jetën kishtare dhe politike të Shteteve të Bashkuara. Emërimi shihet si sinjal se Kisha Katolike në SHBA mund të mbajë një qëndrim më të hapur dhe më kritik ndaj politikave të ashpra të emigracionit të administratës së Donald Trump.
Hicks, deri tani ipeshkëv i Joliet në Illinois, ka përvojë të drejtpërdrejtë në Amerikën Latine, ku ka punuar për vite me fëmijë jetimë dhe të braktisur në El Salvador dhe më herët në Meksikë. Ky profil pasqyron rritjen e peshës së komunitetit hispanik katolik në SHBA dhe i afrohet vetë përvojës së Papës Leo, i cili ka shërbyer për vite si misionar dhe ipeshkëv në Peru.
Emërim kyç në një moment të tensionuar politik
Emërimi i Hicks është më i rëndësishmi i Papës Leo në SHBA që nga zgjedhja e tij dhe vjen në një kohë kur Kisha Katolike amerikane ka rritur kritikat publike ndaj politikave të emigracionit të Shtëpisë së Bardhë. Kryepeshkopi i Nju Jorkut mban tradicionalisht një rol të spikatur në skenën kombëtare; zakonisht kjo detyrë shoqërohet edhe me gradimin kardinal.
Muajin e kaluar, Hicks foli publikisht për emigracionin, duke shprehur “solidaritet me të gjithë vëllezërit dhe motrat tona”, në një reagim të koordinuar të ipeshkvijve amerikanë ndaj asaj që ata e cilësuan si trajtim “çnjerëzor” të emigrantëve.
Pasardhësi i Timothy Dolan
Hicks do të pasojë Timothy Dolan, i cili mbushi 75 vjeç dhe, sipas rregullit kanonik, paraqiti dorëheqjen. Papa Leo e ka pranuar dorëheqjen, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë ku Dolan ishte ndër figurat më të njohura të Kishës në SHBA.
Dolan njihej për marrëdhënie më të ngrohta me Trump, përfshirë lutjet në inaugurimet presidenciale, dhe për disa deklarata që kanë nxitur polemika. Ai ka përballuar gjithashtu kritika për menaxhimin e rasteve të abuzimit seksual nga kleri në të kaluarën, edhe pse ka theksuar se ka ndjekur udhëzimet ligjore dhe kanonike dhe ka mbështetur politikat e reja kundër abuzimit.
Profil i moderuar, pa “luftëra kulturore”
Vëzhguesit e përshkruajnë Hicks si tё moderuar dhe “ndërtues urash”. Ai ka kundërshtuar nisma që synonin ndalimin e kungimit për politikanë për çështje ideologjike dhe shihet si figurë që mund të bashkojë krahë të ndryshëm brenda Kishës.
Komentatorë katolikë theksojnë se Hicks mbështet mësimet sociale të Kishës: kujdesin për të margjinalizuarit, mbështetjen për sindikatat dhe luftën kundër padrejtësive ekonomike—një traditë e fortë e katolicizmit në Çikago, nga vjen edhe Papa Leo.
Përballë sfidave të vjetra dhe të reja
Në Nju Jork, Hicks do të përballet edhe me pasojat e skandalit të abuzimeve seksuale, ndërsa dioqeza ka njoftuar krijimin e një fondi rreth 300 milionë dollarë për kompensimin e mbi 1,300 viktimave. Kryepeshkopi i ri ka deklaruar se Kisha duhet “tё përballet hapur me gabimet dhe t’i korrigjojë ato”.
Emërimi e vendos Hicks-in në qendër të një situate politike të trazuar, por mbështetësit thonë se ai ka profilin e duhur për sfidën: karizmatik, i matur dhe i vendosur—një figurë që pritet të ndjekë prioritetet e Papës Leo, pa u zhytur në polarizim politik.
(Burimi: CNN)






