Papa Leo XIV paralajmëroi të hënën se ndryshimet klimatike po përshpejtohen më shpejt sesa vullneti politik për t’i ndalur, duke u bërë thirrje liderëve botërorë të marrin “veprime konkrete dhe të menjëhershme” përpara se të mbyllet dritarja e mundësisë për të kufizuar ngrohjen globale nën 1,5°C.
Në një adresim drejtuar përfaqësuesve fetarë të hemisferës jugore, në kuadër të samitit COP30 që po zhvillohet në Belem të Brazilit, Ati i Shenjtë e përshkroi Amazonën si “një simbol të gjallë të krijimit që ka nevojë urgjente për mbrojtje”.
“Krijimi po bërtet nëpërmjet përmbytjeve, thatësirave, stuhive dhe valëve të nxehtësisë së pamëshirshme. Një në tre njerëz jeton në rrezik të madh për shkak të klimës. Për ta, ky nuk është kërcënim i largët. T’i injorojmë këta njerëz, do të thotë të mohojmë humanitetin tonë të përbashkët,” u shpreh Papa.
Ai kritikoi mungesën e angazhimit të disa liderëve politikë:
“Ajo që po dështon është vullneti politik.”
Papa Leo kërkoi mbështetje të palëkundur për Marrëveshjen e Parisit, duke e cilësuar atë si “mjetin më të fuqishëm për të mbrojtur planetin dhe njerëzit”. Ai paralajmëroi se koha po mbaron:
“Ende kemi mundësinë të mbajmë rritjen e temperaturës nën 1.5°C, por dritarja po mbyllet.”
Samiti COP30 po hyn në fazën përfundimtare, me delegacionet që mbeten të përçara për çështje kyçe, përfshirë financimin, objektivat klimatike dhe kërkesën e disa vendeve për një afat të qartë për eliminimin e karburanteve fosile.
Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 synon të kufizojë ngrohjen globale “nën 2°C dhe mundësisht në 1.5°C”, por disa vende – përfshirë SHBA-të nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump – tanimë janë tërhequr ose kanë paralajmëruar largimin nga marrëveshja.
Papa Leo, i cili ka kaluar rreth 20 vite si misionar në Peru, ka intensifikuar thirrjet për veprim klimatik. Muajin e kaluar, ai kërkoi një “konvertim ekologjik” dhe kujtoi 10-vjetorin e enciklikës së Papa Françeskut Laudato Si, një tekst historik mbi mbrojtjen e mjedisit.
Shefi i klimës në OKB, Simon Stiell, e quajti ndërhyrjen e Papës “një mesazh të fuqishëm shprese”, duke thënë se ai po nxit vazhdimin e betejës globale kundër krizës klimatike.






