Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar sot për një situatë të përkeqësuar meteorologjike dhe hidrologjike që pritet të ndikojë në disa zona të Shqipërisë gjatë datave 22 dhe 23 nëntor. Sipas buletinit zyrtar, mbrёmja e së shtunës dhe dita e diel të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta sidomos në zona urbane dhe në segmente ku sistemi i kanalizimeve është i dobët.
IGJEO thekson se për shkak të reshjeve të vazhdueshme të ditëve të fundit, të cilat kanë ngritur ndjeshëm nivelin e ujërave, rritet rreziku për daljen e lumenjve nga shtrati dhe përmbytje në zonat më të ekspozuara. Instituti njofton se nga dita e diel pritet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë e mëdhenj të vendit, përfshirë Drinin, Matin, Shkumbinin, Semanin dhe Vjosën. Kjo situatë vlerësohet të jetë më kritike në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, ku është parashikuar intensiteti më i lartë i reshjeve dhe rreziku më i madh për përmbytje.
Reshjet do të jenë kryesisht të mesatare deri intensive në pjesën më të madhe të territorit verior dhe jugperëndimor, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Tiranë parashikohen të jenë mesatare. Ndërkohë, në Fier, Berat dhe Korçë pritet një situatë më e qetë me reshje të dobëta. Temperatura minimale të dielën do të luhatet nga 4 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalja nga 8 deri në 14 gradë. Era do të fryjë mesatarisht e fortë, veçanërisht përgjatë bregdetit, duke vështirësuar edhe më tej kushtet atmosferike.
Instituti bën thirrje për kujdes nga qytetarët dhe rekomandon që të shmangen lëvizjet e panevojshme pranë zonave lumore dhe kanaleve ujitëse, si edhe të tregohet vëmendje maksimale gjatë qarkullimit me mjetet në rrugë që rrezikojnë të përmbyten. Autoritetet lokale janë ftuar të jenë në gatishmëri dhe të marrin masa të menjëhershme në zonat më të rrezikuara.
Ndërsa vendi përgatitet për dy ditë me mot të rënduar, IGJEO nënvizon se situata do të ndiqet në vijimësi dhe paralajmërimet do të përditësohen në varësi të zhvillimeve meteorologjike.
(Burimi: Instituti i Gjeoshkencave)






