Partia qendrore-liberale D66 ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e përgjithshme të së mërkurës në Holandë, raportoi agjencia e lajmeve ANP të premten, duke e vendosur liderin e saj 38-vjeçar, Rob Jetten, në rrugën për t’u bërë kryeministri më i ri në historinë e vendit.
Sipas ANP, me pothuajse të gjitha votat e numëruara, D66 nuk mund të arrihet më nga Partia e Lirisë (PVV) e ekstremit të djathtë, e udhëhequr nga Geert Wilders.
Pas këtij rezultati, pritet që D66 të marrë drejtimin në rundin e parë të bisedimeve për formimin e një koalicioni qeverisës — një proces që zakonisht zgjat me muaj.
Me rreth 18% të votave, partia do të ketë nevojë për të paktën tre partnerë të tjerë për të siguruar një shumicë të thjeshtë në Dhomën e Ulët me 150 vende.
Partia pro-BE dhe liberale D66 trefishoi numrin e mandateve, falë një fushate optimiste dhe një shtimi të ndjeshëm të buxhetit për reklama. Ndërkohë, Wilders humbi pjesën më të madhe të mbështetjes që e kishte çuar drejt një fitoreje të papritur në zgjedhjet e vitit 2023.
Megjithatë, gara zgjedhore ishte e ngushtë deri në fund — rezultatet paraprake tregonin një epërsi të lehtë të D66, ndërsa PVV kaloi për pak kohë përpara në fund të numërimit.
Edhe pse të gjitha partitë kryesore kishin përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të, Wilders kishte deklaruar se do të kërkonte mandatin për formimin e qeverisë nëse partia e tij dilte e para.
Rezultatet përfundimtare do të konfirmohen të hënën, pasi të numërohen votat me postë të shtetasve holandezë që jetojnë jashtë vendit.
Të martën, liderët e partive do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për formimin e qeverisë së re.






