Qytetarët me shtetësi të dyfishtë britanike mund të përballen me refuzim për të hipur në avion, traget apo tren drejt Mbretërisë së Bashkuar pas 25 shkurtit, nëse nuk paraqesin një pasaportë të vlefshme britanike. Paralajmërimi është bërë nga Ministria e Brendshme britanike dhe lidhet me ndryshimet e reja në kontrollet kufitare.
Nga kjo datë, të gjithë udhëtarët që shkojnë në Britani do të kenë nevojë për një autorizim udhëtimi, përveç shtetasve britanikë dhe irlandezë ose personave të përjashtuar nga rregulli. Vizitorët afatshkurtër duhet të aplikojnë për një Autorizim Elektronik Udhëtimi (ETA), që kushton 16 paund.
Ndryshimi prek veçanërisht personat me shtetësi të dyfishtë, të cilët për herë të parë do të detyrohen të përdorin pasaportën britanike për të hyrë në vend. Alternativa është pajisja me një “certifikatë të së drejtës”, e cila kushton rreth 589 paund dhe duhet të bashkëngjitet në pasaportën e shtetësisë tjetër.
Vendimi ka shkaktuar reagime dhe shqetësime te shumë britanikë që jetojnë jashtë vendit. Disa ankohen për mungesë informacioni dhe për koston e lartë të dokumenteve, duke theksuar se mbajtja e dy pasaportave nuk është e përballueshme për çdo familje.
Një britanike që jeton prej vitesh në Gjermani tha se druhet se ndryshimet do të ndikojnë edhe tek fëmijët e saj, ndërsa të tjerë e lidhin situatën me pasojat e Brexit. Në raste të caktuara, si në Spanjë, përdorimi i pasaportës britanike mund të krijojë edhe komplikime ligjore për ata që kanë marrë një shtetësi tjetër.
Një tjetër qytetar me shtetësi britaniko-italiane tregoi se rrezikon të mbetet jashtë vendit pas një udhëtimi pune, pasi nuk ka pasur kurrë pasaportë britanike dhe koha nuk i mjafton për të marrë dokumentet e reja.
Ministria e Brendshme theksoi se masa është pjesë e një programi dixhitalizimi që synon të krijojë një “përvojë udhëtimi pa probleme”, duke i dhënë njëkohësisht autoriteteve më shumë kontroll mbi hyrjet në vend dhe një panoramë më të qartë të emigracionit.
Ndërkohë, organizata e të drejtave të qytetarëve të BE-së “The 3 Million” i ka bërë thirrje qeverisë të rishikojë skemën aktuale dhe të ofrojë një autorizim udhëtimi më të lirë, duke paralajmëruar se pa masa të shpejta disa shtetas britanikë mund të rrezikojnë të mbeten të bllokuar jashtë vendit të tyre.
Për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë marrë edhe shtetësinë britanike, ekspertët këshillojnë të kontrollojnë sa më parë vlefshmërinë e pasaportës britanike përpara çdo udhëtimi. Hyrja në vend vetëm me pasaportë shqiptare nuk do të jetë më e mundur për këtë kategori, ndërsa mungesa e dokumentit të duhur mund të sjellë refuzim në kufi apo ndalim të udhëtimit. Për të shmangur problemet, rekomandohet rinovimi në kohë i pasaportës dhe informimi mbi rregullat e reja përpara planifikimit të lëvizjeve.
(Burimi: The Guardian)





