Pas më shumë se pesë dekadash nga misioni i fundit i programit “Apollo”, njeriu është gati të fluturojë sërish drejt Hënës. NASA ka hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve për misionin Artemis II, që pritet të ngrihet në hapësirë në shkurt të vitit 2026, duke shënuar fluturimin e parë të ekuipazhit njerëzor rreth Hënës që nga viti 1972.
Anija kozmike “Orion”, e quajtur tashmë me emrin simbolik “Integrity”, do të mbajë në bord katër astronautë: Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch, dhe kanadezin Jeremy Hansen. Ata do të jenë pionierët e një epoke të re të eksplorimit hapësinor, duke testuar sistemet që do të hapin rrugën për kthimin e njeriut në sipërfaqen hënore dhe, më vonë, për misionet e gjata drejt Marsit.
Ndërsa “Integrity” përgatitet të vendoset në majë të raketës gjigante Space Launch System në Kennedy Space Center, katër astronautët dhe ekipi i tyre kalojnë orë të tëra në trajnime të detajuara në Johnson Space Center në Houston. Ata stërviten për çdo skenar të mundshëm gjatë fluturimit, që nga manovrat e nisjes, orbitimi rreth Tokës, testimi i sistemeve jetësore, e deri te kthimi në mënyrë të sigurt në atmosferën tokësore. Komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka thënë se “ekipi është gati, trajnimi po përfundon, dhe ne jemi të përqendruar vetëm në një gjë – që çdo detaj të jetë perfekt në ditën e nisjes”.

Fluturimi do të zgjasë rreth dhjetë ditë dhe do të përfshijë disa nga manovrat më komplekse që është provuar ndonjëherë. Pas ngritjes, kapsula “Integrity” do të hyjë fillimisht në orbitën e Tokës, për të kryer testet e para të sigurisë dhe funksionalitetit. Pas një qarkullimi 90-minutësh rreth planetit, ajo do të ngjitet në një orbitë të lartë prej afro 40 mijë miljesh, ku do të ndahet nga raketa shtytëse dhe do të përgatisë hyrjen në kursin drejt Hënës. Në atë fazë, pilotët Wiseman dhe Glover do të drejtojnë manualisht anijen për disa manovra preҫize, për të provuar kontrollin në kushte reale.
Pas disa orësh testime, “Integrity” do të marrë drejtimin e Hënës nëpërmjet manovrës së quajtur “translunar injection”, që do ta dërgojë ekuipazhin drejt një udhëtimi katërditor në hapësirë të thellë. Në ditën e gjashtë të misionit, anija do të kalojë pranë Hënës në një distancë që varion nga 5,000 deri në 9,000 milje. Ky moment do të jetë historik: katër astronautët do të jenë njerëzit e parë pas më shumë se 50 vjetësh që do të shohin nga afër pjesë të Hënës që askush nuk i ka parë më parë, përfshirë anën e errët të saj. Ata do të kenë vetëm tre orë për të bërë vëzhgime, për të shkrepur fotografi dhe për të dokumentuar me hollësi sipërfaqen hënore, përpara se graviteti i Hënës t’i ndihmojë të kthehen në rrugën drejt Tokës, pa përdorur karburant shtesë.
Por “Artemis II” nuk është vetëm një fluturim testues – është një laborator shkencor që do të studiojë në detaje mënyrën sesi trupi i njeriut reagon në hapësirë të thellë. Katër astronautët do të shërbejnë edhe si subjekte kërkimore për disa eksperimente biologjike. Një prej tyre, projekti AVATAR, do të analizojë se si qelizat njerëzore reagojnë ndaj rrezatimit kozmik përmes “çipave organikë” që imitojnë indet e trurit, zemrës dhe organeve të tjera. Një tjetër program, ARCHeR, do të ndjekë gjumin, aktivitetin fizik dhe performancën e astronautëve gjatë gjithë misionit, ndërsa eksperimenti Standard Measures do të mbledhë çdo të dhënë të mundshme mbi ndryshimet fiziologjike dhe psikologjike që ndodhin gjatë udhëtimit në hapësirë.
NASA po e konsideron këtë mision si “prova e përgjithshme” për jetesën e njeriut jashtë orbitës tokësore. Sapo të kthehen, astronautët do të testohen menjëherë për të kuptuar sesi trupi përshtatet pas kalimit nga mikrograviteti në gravitetin e Tokës. “Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se si do të mund të qëndrojmë me muaj në Mars, apo në baza të përhershme në Hënë,” shpjegoi Jacob Bleacher, shkencëtari kryesor i eksplorimeve hapësinore të NASA-s.
Gjatë misionit, astronautët do të përballen me një sfidë tjetër të madhe: rikthimin në atmosferë me një shpejtësi prej 28,900 miljesh në orë, plot 39 herë më shpejtë se zëri. Pas hyrjes në atmosferë, kapsula “Integrity” do të ngadalësojë përmes sistemit të parashutave, duke rënë butë në Oqeanin Paqësor, afër brigjeve të Kalifornisë.
Për NASA-n dhe gjithë njerëzimin, “Artemis II” është më shumë se një provë teknologjike – është një simbol i rikthimit të guximit dhe ëndrrës për të eksploruar universin. Komandanti Wiseman e përmblodhi me fjalët: “Nëse ne harrohemi, do të thotë që misioni ka qenë i suksesshëm. Sepse do të thotë që njerëzimi ka shkuar më tej – në Mars, në hënat e Saturnit, në botëra që sot vetëm i ëndërrojmë.”
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Artemis II do të hapë rrugën për Artemis III, misionin që do të rikthejë njerëzit në sipërfaqen e Hënës në vitin 2027. Ky do të jetë vetëm fillimi i një ere të re për eksplorimin hapësinor – dhe katër astronautët e “Integrity” do të mbeten në histori si ata që hapën derën për kthimin e njeriut në Hënë.
(Burimi: The Epoch Times)






