Nga kontrasT.al
Në vitin 2025, raportohet (BoldNews) se Banka e Shqipërisë bleu një rekord absolut prej 1 miliard e 27 milionë eurosh në tregun valutor – një shifër që arrin derin në 3.8% të PBB-së.
Prej këtyre, 729.1 milionë euro u blenë posaçërisht për të frenuar forcimin e lekut, ndërsa 297.9 milionë të tjera për rritjen e rezervave valutore.
Kjo vjen pas 933 milionë eurosh të blera në 2024, pavarësisht këshillave të qarta të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të reduktuar ndërhyrjet dhe për të lënë kursin e këmbimit të luajë rolin e tij si amortizues natyral i goditjeve.
Rezultati?
Leku jo vetëm që nuk u dobësua, por u forcua më tej: nga 98.3 lekë për euro në fillim të 2025, në 96.8 lekë në fund të vitit, dhe tani në 95.8 lekë.
Ndërkohë, inflacioni “i brendshëm” – ai që teoria ekonomike parashikon si pasojë e injektimit masiv të likuiditetit – nuk po reflektohet plotësisht në Indeksin e Çmimeve të Konsumit, por po shfaqet në mënyrë tinëzare në sektorë të tjerë.
“Flama Holandeze”
Kjo nuk është thjesht një politikë teknike.
Është një zgjedhje e rrezikshme që fsheh, në vend që ta trajtojë, fenomenin klasik të “Sëmundjes Holandeze” (Dutch Disease), të analizuar nga ekonomistët Max Corden dhe Peter Neary që në vitin e largët 1982.
Modeli i tyre tregoi qartë dhe mbetet aktual edhe sot se, një fluks i madh i papritur valutash – qoftë nga turizmi, investimet e huaja, apo (siç dyshojnë shumë) nga paratë e pista të krimit të organizuar – forcon monedhën kombëtare dhe transferon burimet nga sektorët e tregtueshëm si bujqësia, manifaktura, eksportet drejt sektorëve jo-tregtueshëm si ndërtimi apo shërbimet publike.
Në Shqipëri, ky model, pra “flama Holandeze”, ka vite, që po na “sheron”: bujqësia ka rënë pandërprerë që nga tremujori i tretë i vitit 2020. Bashkë me të edhe industria në tërësi ka rënë që nga fundi i vitit 2023. Ndërkohë që, manifakturat (veshje dhe këpucë) kanë pësuar tkurrje të vazhdueshme, ndërtimi dhe administrata publike po rriten artificialisht.
Si vazhdon kjo akrobaci ekonomike?
Sepse ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk zgjidhin shkakun rrënjësor – tepricën e ofertës së euros – por thjesht e fshehin atë duke krijuar një “zhvlerësim të brendshëm”.
Duke blerë euro dhe duke injektuar lekë në ekonomi, banka qendrore, pra Banka e Shqipërisë, rrit masën monetare pa rritur prodhimin real, ç’ka çon në presion inflacionar që nuk reflekton menjëherë në CPI (Indeksin e Çmimeve të Konsumit), por në çmime të pasurive të paluajtshme, në pagat e fryra të sektorit publik dhe në humbjen e konkurrueshmërisë së eksporteve.
FMN-ja, në analizat e saj të fundit (përfshirë punimin e Selected Issues 2025 mbi kuadrin e politikës së integruar), e ka thënë qartë: tregu valutor shqiptar është i cekët dhe ndërhyrjet mund të justifikohen vetëm për goditje ekstreme jo-themelore.
Por blerjet sistematike nga Banka e Shqipërisë prej miliarda eurosh nuk janë “të rralla” – ato janë bërë tashmë politikë e paracaktuar, duke shkelur parimin bazë të politikës monetare, që është: lënia e kursit të këmbimit të rregullojë vetveten për të ruajtur ekuilibrin e jashtëm.
“If” / Çfarë mund të ndodhë më tej…po më pas?
– Humbje e përhershme e konkurrueshmërisë në sektorët tradicionale. Punëtorët e fasonit dhe bujqësisë po largohen drejt ndërtimit ose emigracionit me nxitim. Dhe kur fluksi i valutës do të ngadalësohet, sikur mundet të ndodhë me ngadalësimin e turizmit ose “shfryrjen” e flluskës së palogjikshme të ndërtimit, këta sektorë nuk do të ringjallen aq lehtë për shkak të “histerisë” ekonomike ku aftësitë rikuperuese humbasin, zinxhirët e furnizimit thyhen dhe investimet kapitale mungojnë.
– Varësia e rrezikshme nga sektorët ciklikë. Ndërtimi, që po fryhet artificialisht çdo ditë, është i ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme. Një ndërprerje e prurjeve valutore do të linte vendin pa të ardhura dhe pa kapacitete prodhuese alternative, duke shkaktuar rënie të PBB-së, papunësi masive dhe presion mbi financat publike.
– Inflacioni i fshehur do gërryente dhe shkatërronte fuqinë blerëse të shqiptarëve të zakonshëm, ndërsa po pasuron dhe do pasuronte eksponecialisht spekulantët e pasurive të paluajtshme dhe importuesit “zemërmëdhenj”.
Nëse ndodhte, në afatin e gjatë, kjo do të thellonte pabarazitë, do të dobësonte diversifikimin ekonomik dhe do ta bënte Shqipërinë përfundimisht të cenueshme dhe të lëndueshme, dhe sigurisht të dorëzuar ndaj krizave globale – saktësisht e kundërta a asaj ç’ka duhet të ishte: një ekonomi relativisht e qëndrueshme.
Patriotizmi ekonomik
Profesionistët dhe akademikët e fushave ekonomikë, profesorët dhe profesionistët e universiteteve dhe qendrave kërkimore, brenda dhe jashtë vendit, kanë detyrë profesionale dhe patriotike ta refuzojnë këtë qasje.
Ata nuk mund të pranojnë një politikë që i jep përparësi stabilitetit në afatin e shkurtër të tij por që është “hipur kalaqafë” mbi rritjen e qëndrueshme të vendit dhe përmirësimit ekonomik individual dhe shtetëror.
Në vend të injektimit artificial të likuiditetit, ata duhet të bërtasin për reforma strukturore reale: tituj pronësie për bujqësinë, investime në infrastrukturë prodhuese, nxitje e inovacionit në manifakturë dhe, natyrisht për një regjim kursi këmbimi më fleksibël që të detyrojë sektorët të rrisin produktivitetin.
Ata duhet të bërtasin që, Banka e Shqipërisë të kthehet te instrumenti kryesor – norma e interesit – dhe ta lërë kursin valutor të luajë rolin e tij.
Përndryshe, të gjithë do bëheshin me faj, patriotë dhe tradhëtarë. Ata do lejonin së bashku një krizë që dëgjohet teksa troket pas dere. Ata do lejonin një ekonomi të deformuar, me sektorë të vdekur dhe një brez të ri që do të paguante nesër, deri vonë pasnesër – faturën e shtrenjtë emigracionit dhe varfërisë .
Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë shumë më shumë.
Ndaj është koha e patriotëve, që ekonomistët, analistët dhe shoqëria civile të thonë me zë të lartë: kjo qasje nuk është e mençur, nuk është e qëndrueshme dhe nuk është në interesin kombëtar.
Duke pranuar realitetin e “Sëmundjes Holandeze”, kriza e sëmurë që pret pas dere, do “trembej” disi nga kuraja reformuese e patriotëve tanë.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






