Zakoni i pirjes së një gote lëng portokalli çdo ditë mund të ketë një ndikim më të madh në shëndetin tonë sesa mendohet zakonisht. Për një kohë të gjatë, kjo pije e ëmbël me agrume është parë me dyshim dhe madje është demonizuar nga disa ekspertë të ushqyerjes. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se, ndryshe nga fruti i plotë, lëngu i portokallit mund të shkaktojë një rritje të shpejtë të nivelit të sheqerit në gjak.
Me kalimin e kohës, rritje të tilla të përditshme të sheqerit janë lidhur me rezistencën ndaj insulinës, duke rritur rrezikun për diabet, sëmundje të zemrës dhe obezitet. Ose, të paktën, kështu është menduar deri tani. Në fakt, studime të reja po tregojnë se, pavarësisht përmbajtjes së lartë të sheqerit, një gotë lëng portokalli në ditë mund të ofrojë një sërë përfitimesh të rëndësishme për shëndetin.
Pse kemi gabuar me lëngun e portokallit
Studimet qё kanё ndjekur dhjetëra mijëra njerëz për vite me radhë, tregojnë se personat që konsumojnë shumë agrume kanë më pak gjasa të vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Megjithatë, shumica e këtyre studimeve kanë analizuar konsumin e frutave të plota, jo të lëngjeve të frutave.
Dallimi mes ngrënies së frutit dhe pirjes së lëngut është i rëndësishëm. Federico Amati, shkencëtar i të ushqyerit në Imperial College London, shpjegon se gjithçka lidhet me shpejtësinë e konsumimit. Për të bërë një gotë të vogël lëng portokalli nevojiten zakonisht dy ose tre portokalle. Ngrënia e tyre kërkon kohë për përtypje dhe tretje, ndërsa një gotë lëng pihet për disa sekonda.
Fruti i plotë përmban gjithashtu fibra, të cilat ushqejnë bakteret e dobishme në zorrë dhe lidhen me uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit të zorrës së trashë. Fibra ndihmon edhe në ngadalësimin e përthithjes së sheqerit në gjak. Gjatë procesit të shtrydhjes, lëngu i portokallit humbet pjesën më të madhe të fibrave, duke bërë që sheqernat të përthithen shumë më shpejt.
Si rezultat, ngrënia e një portokalli të plotë çon në një rritje graduale të sheqerit në gjak, ndërsa pirja e një gote lëng portokalli shkakton një rritje më të menjëhershme. Megjithatë, për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, kjo nuk përbën problem, pasi organizmi reagon duke prodhuar insulinë për të rregulluar nivelin e sheqerit. Për personat me diabet, nga ana tjetër, lëngjet e frutave mund të mos jenë zgjedhja më e mirë.
Shëndeti i zemrës dhe i trurit
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, ka prova të forta se lëngu i portokallit mund të sjellë përfitime reale për shëndetin. Një meta-analizë e 10 studimeve të kontrolluara zbuloi se pirja e rreth 500 ml lëng portokalli në ditë shoqërohej me nivele më të ulëta të glukozës në gjak, funksion më të mirë të insulinës dhe ulje të kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”.
Një tjetër analizë tregoi se pirja e një gote lëng portokalli çdo ditë për disa javë ndihmonte në uljen e presionit sistolik të gjakut te personat mbipeshë dhe obezë, si dhe në rritjen e kolesterolit HDL, apo “kolesterolit të mirë”.
Përfitimet shtrihen edhe te truri. Në një studim, burra të shëndetshëm midis 30 dhe 45 vjeç pinin ose lëng portokalli 100%, ose një pije me të njëjtën sasi kalorish por pa përbërësit bioaktivë të agrumeve. Pas gjashtë orësh, ata që kishin pirë lëng portokalli shfaqën përmirësim të funksionit njohës dhe ndjenjë më të lartë vigjilence.
Një studim tjetër, i kryer te të moshuarit e shëndetshëm nga 60 deri në 81 vjeç, tregoi se pirja e dy gotave lëng portokalli çdo ditë për tetë javë çoi në përmirësim të dukshëm të funksioneve njohëse krahasuar me grupin placebo.
Roli i antioksidantëve
Sekreti i këtyre përfitimeve lidhet kryesisht me flavonoidet, përbërje bimore me veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Këto molekula ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira, të cilat dëmtojnë qelizat dhe përshpejtojnë plakjen biologjike.
Një flavonoid i veçantë, hesperidina, gjendet me bollëk në agrume dhe mendohet se luan rol kyç në uljen e presionit të gjakut dhe inflamacionit. Studime të fundit kanë treguar se konsumimi i rregullt i lëngut të portokallit ndihmon në aktivizimin e gjeneve që mbrojnë enët e gjakut dhe i ndihmojnë ato të relaksohen, duke ulur ngarkesën mbi zemrën.
Cili lëng portokalli është më i miri?
Megjithatë, ekspertët bien dakord se fruti i plotë mbetet zgjedhja më e shëndetshme. Portokalli i freskët përmban më shumë fibra dhe flavonoide të paprekura, të cilat mbrohen nga oksidimi. Lëngu i shtrydhur në shtëpi ruan më shumë vlera ushqyese sesa lëngjet industriale, të cilat zakonisht janë të pasterizuara dhe të ngrohura, duke humbur një pjesë të vitaminës C dhe antioksidantëve.
Për ata që e pëlqejnë lëngun e portokallit në mëngjes, ekspertët sigurojnë se nuk ka arsye për ndjenjë faji. Një gotë e vogël lëng portokalli 100% natyral, pa sheqer të shtuar, e konsumuar tre ose katër herë në javë, mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme dhe të balancuar.
(Burimi: BBC)






