Vizita e presidentit izraelit Isaac Herzog në Australi është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve pro-palestinezë në Sydney, duke nxjerrë në pah ndarjet e thella që lufta në Gaza ka shkaktuar edhe mijëra kilometra larg Lindjes së Mesme.
Herzog u prit zyrtarisht nga qeveria australiane si një gjest solidariteti me komunitetin hebre të vendit, ende në zi pas sulmit terrorist të 14 dhjetorit pranë plazhit Bondi, ku humbën jetën 15 persona. Kryeministri Anthony Albanese e kishte ftuar presidentin izraelit duke theksuar nevojën për kohezion social dhe mbështetje ndaj viktimave.
Megjithatë, vizita ka shkaktuar reagime të forta. Aktivistë dhe grupe pro-palestineze e konsiderojnë Herzog përgjegjës për veprimet e Izraelit në Gaza dhe kanë bërë thirrje madje për arrestimin e tij – akuza që Izraeli i ka mohuar vazhdimisht.
Pas mbërritjes në Sydney, Herzog vendosi një kurorë me lule në Bondi Pavilion, pranë vendit të sulmit. Ndërkohë, në gjykatë po zhvillohej një betejë ligjore për të drejtën e protestuesve që të tubonin brenda zonave me kufizime të reja sigurie.
Australia, ashtu si shumë vende të tjera, ka përjetuar përçarje të thella mbi luftën në Gaza. Për vizitën e Herzogut ishin planifikuar deri në 30 protesta në të gjithë vendin, ndërsa më e madhja u zhvillua jashtë Bashkisë së Sydneyt.
Situata u tensionua në mbrëmje, kur policia u përlesh me mijëra protestues. Forcat e rendit përdorën spra me piper për të shpërndarë turmën dhe arrestuan 27 persona – 10 prej tyre për sulm ndaj policisë dhe 17 për mosbindje ndaj urdhrave të lëvizjes dhe shkelje të tjera.
Grupi i Veprimit për Palestinën e dënoi ndërhyrjen, duke e quajtur një “sulm brutal ndaj një proteste masive paqësore”.
Pamje të publikuara nga vendngjarja tregojnë policinë duke shpërndarë me forcë edhe një grup besimtarësh myslimanë që po luteshin në rrugë. Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë reagoi ashpër, duke e cilësuar sjelljen e policisë “tronditëse dhe tërësisht të papranueshme”.

Në anën tjetër, organizatat kryesore hebraike në Australi e mirëpritën vizitën e Herzogut dhe dënuan protestat, duke theksuar se prania e tij ishte një mesazh mbështetjeje për komunitetin pas sulmit terrorist.
Një e mbijetuar e masakrës në Bondi, e identifikuar vetëm si Yvonne, tha se vizita e presidentit izraelit i dha ndjenjë sigurie. Ajo shpëtoi bashkë me djalin e saj dyvjeçar duke u fshehur nën një tavolinë pikniku ndërsa sulmuesit hapën zjarr.
“Kjo do të thotë që nuk jemi vetëm. Ai ka ardhur nga ana tjetër e botës,” u shpreh ajo, duke shtuar se mbështetja e Izraelit “do të thotë shumë”.
Përplasjet në Sydney tregojnë se konflikti në Gaza vazhdon të ndikojë fort debatin publik global, duke polarizuar shoqëritë dhe duke e kthyer çdo vizitë zyrtare në një provë të balancës mes sigurisë, diplomacisë dhe të drejtës për protestë.
(Burimi: CNN)






