Në vitin 1886, në Bukuresht, Sami Frashëri botoi veprën “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, një botim i shoqërisë patriotike “Dëshira”, që konsiderohet si përpjekja e parë serioze për ndërtimin e një gramatike të sistemuar të gjuhës shqipe. Në një kohë kur shqipja ende nuk kishte një standard të unifikuar, ky libër përfaqësonte një hap themelor drejt kodifikimit të saj.
Vëllimi me 128 faqe dhe përmasa modeste, u konceptua për të vendosur rregulla të qarta mbi shkrimin dhe të folurin, duke iu përgjigjur nevojës së madhe për tekste mësimore në fund të shekullit XIX. Ai ishte pjesë e një nisme më të gjerë kulturore dhe arsimore, që synonte forcimin e identitetit kombëtar përmes gjuhës.
“Shkronjëtore e gjuhës shqipe” ka qenë e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, si një dëshmi e prekshme e momentit kur gjuha shqipe nisi të marrë formë të përbashkët dhe të shkruar mbi baza të njëjta rregullash.
Vepra hapet me paraqitjen e alfabetit, ku Sami Frashëri shpjegon sistemin grafik të Stambollit dhe shqiptimin e saktë të tingujve. Më pas, fokusi kalon te morfologjia, me klasifikimin e pjesëve të ligjëratës dhe një trajtim më të zgjeruar të zgjedhimit të foljeve. Autori përpiqet të ndërtojë rregulla që balancojnë dallimet dialektore, duke synuar një përdorim sa më gjithëpërfshirës të gjuhës.
Në pjesën përmbyllëse, libri ndalet te sintaksa, ndërtimi i fjalisë dhe marrëdhëniet logjike mes fjalëve, si dhe te shenjat e pikësimit dhe drejtshkrimi, elemente thelbësore për funksionimin e shkollave shqipe që po merrnin formë në atë periudhë historike.






