Nё javёn qё sapo kaloi, rrugët dhe shtëpitë në gjithë Meksikën u mbushёn me altare shumëngjyrëshe, lule të verdha, qirinj dhe kafka prej sheqeri. Është koha e “El Día de los Muertos” – Dita e të Vdekurve, festa më e rëndësishme e vendit, e cila nis në fundjavën e parë të nëntorit.
Në këtë periudhë, familjet meksikane mblidhen në shtëpi dhe varreza për të kujtuar të dashurit e tyre që kanë ndërruar jetë. Festa është plot me parada, muzikë, ushqime tradicionale, bukë të veçantë dhe çokollatë të nxehtë. Megjithëse lidhet me vdekjen, kjo ditë është në thelb një festë e jetës – një kujtesë se kujtimet dhe dashuria nuk vdesin kurrë.
Sipas besimit popullor, është koha kur bota e të gjallëve dhe ajo e shpirtrave bashkohen. Aroma e luleve dhe dritat e qirinjve besohet se ndihmojnë shpirtrat të gjejnë rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Njerëzit veshin kostume ngjyrash të ndezura dhe maska në formë skeleti, duke përfshirë edhe figurën ikonike të La Catrina-s, skeletit, që është bërë simbol i pandashëm i festës.
Kjo traditë ka rrënjë të thella indigjene. Ajo lind nga besimet e lashta të Aztekëve, të cilët e shihnin vdekjen si vazhdim të jetës. Për ta, festat për të vdekurit zgjatnin një muaj të tërë dhe përfshinin nderime për perëndeshën e botës së nëndheshme, Mictecacihuatl. Me ardhjen e pushtuesve spanjollë dhe përhapjen e katolicizmit, këto rite u ndërthurën me Ditën e të gjithë Shenjtorëve (1 nëntor) dhe Ditën e Shpirtrave (2 nëntor), duke u shndërruar me kohën në “El Día de los Muertos”.
Në zemër të festës qëndrojnë altaret familjare – “ofrendas”. Ato ndërtohen në shtëpi apo pranë varreve, të mbushura me qerasje për të dashurit që nuk janë më. Çdo element në altar ka një kuptim të veçantë: uji për të shuar etjen e shpirtërave, zjarri në qirinj për t’u ndriçuar rrugën, toka përfaqësohet nga ushqimet dhe kujtimet, ndërsa ajri nga prerjet e letrës shumëngjyrëshe. Disa altare përfshijnë edhe kripë, për t’i ndihmuar shpirtrat në udhëtimin e tyre.
Në altare vendosen gjithashtu fotografi, ushqime të preferuara të të ndjerëve, poezi humoristike (“calaveras”)dhe kafka prej sheqeri (“calaveras de azúcar”), që simbolizojnë ciklin e pafund të jetës dhe vdekjes. Një nga elementet më të dashura të festës është “pan de muerto” – buka e të vdekurve, e rrumbullakët dhe e zbukuruar me forma kockash, që hahet gjatë këtyre ditëve dhe vendoset edhe mbi altar.
Figura e famshme La Catrina, e krijuar në fillim të viteve 1900 nga karikaturisti José Guadalupe Posada, mbetet simboli më i njohur i festës. E veshur me një kapelë elegante franceze dhe pendë, ajo ironizon dëshirën e dikurshme të meksikanëve për të imituar aristokracinë evropiane, duke kujtuar se “të gjithë jemi skelete” nën pamjen e jashtme.
Megjithëse dita kulmon më 1 dhe 2 nëntor, festimet fillojnë që më 27 tetor, kur kujtohen edhe kafshët shtëpiake të ndjera. 1 nëntori u kushtohet fëmijëve që kanë ndërruar jetë, të quajtur “angelitos” (engjëj të vegjël), ndërsa 2 nëntori është dita për të rriturit.
“Día de los Muertos” nuk është vetëm një traditë kombëtare meksikane, por një festë që ka kaluar kufijtë, duke u kremtuar në gjithë Amerikën Latine, Spanjë, Shtetet e Bashkuara dhe Filipine. Ajo mbetet një përzierje unike e historisë, artit, dashurisë dhe kujtesës — një kujtesë e gjallë se përmes kujtimit, të dashurit tanë vazhdojnë të jetojnë përjetësisht.








