Danimarka kishte përgatitur një skenar ekstrem për Groenlandën: në rast të një pushtimi të mundshëm nga SHBA-të, ushtria daneze ishte e gatshme të hidhte në erë pistat kryesore të aeroporteve për të penguar zbarkimin e forcave amerikane.
Lajmi është bërë publik nga transmetuesi shtetëror danez DR, i cili citon burime nga qeveria, ushtria dhe aleatë evropianë. Sipas raportimit, në janar u dërguan trupa në Groenlandë, së bashku me furnizime mjekësore, përfshirë edhe rezerva gjaku, në përgatitje për një skenar lufte.
Edhe Financial Times konfirmon informacionin përmes zyrtarëve evropianë, ndërsa Ministria daneze e Mbrojtjes ka refuzuar të komentojë. Një zyrtar i lartë ushtarak, në kushte anonimiteti, tha se vetëm një numër shumë i kufizuar personash ishin në dijeni të planit për arsye sigurie.
Tensionet lidhen me qëndrimet e përsëritura të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur dëshirën për të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës me rëndësi të madhe strategjike në Arktik. Kjo ka krijuar përçarje mes SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë, pavarësisht se të dyja palët janë pjesë e NATO-s.
Sipas DR, situata u përshkallëzua ndjeshëm më 3 janar, kur forcat speciale amerikane ndërmorën një operacion të befasishëm në Venezuelë për kapjen e presidentit Nicolás Maduro. Një ditë më pas, Trump deklaroi se Groenlanda ishte një çështje e sigurisë kombëtare dhe se ishulli kishte rëndësi strategjike, duke përmendur praninë e pretenduar të anijeve ruse dhe kineze në zonë.
Kjo bëri që Kopenhageni të kërkonte mbështetje nga aleatët europianë, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe vendet nordike. Në vijim, një kontingjent i përbashkët me trupa danezë, francezë, gjermanë dhe skandinavë u vendos në Nuuk dhe në Kangerlussuaq, ku ndodhet një nga aeroportet kryesore të Groenlandës.
Zyrtarisht, kjo lëvizje u prezantua si pjesë e një stërvitjeje ushtarake të quajtur “Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë”. Por sipas burimeve, qëllimi real ishte përgatitja për një skenar të mundshëm përplasjeje me SHBA-të.
Plani përfshinte edhe një vendim drastik: në rast ndërhyrjeje, forcat daneze do të përpiqeshin të shkatërronin pistat e aeroporteve në Nuuk dhe Kangerlussuaq për të pamundësuar uljen e avionëve ushtarakë amerikanë.
“Kostoja për SHBA-të duhej të rritej. Ata do të detyroheshin të kryenin një akt armiqësor për të marrë Groenlandën,” tha një burim i mbrojtjes daneze, duke pranuar megjithatë se forcat vendase nuk do të kishin kapacitete për të zmbrapsur një ofensivë amerikane.
Më 21 janar, Trump deklaroi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk kishte ndërmend të përdorte forcë për të marrë Groenlandën, duke theksuar se SHBA kërkonin një zgjidhje përmes negociatave. Që atëherë, ai ka folur për “negociata të menjëhershme” për të ulur tensionet.
Pavarësisht kësaj, zbulimi i këtyre planeve tregon sa situate ishte shumё pranë një përplasjeje të paprecedentë mes aleatëve të NATO-s, duke e kthyer Groenlandën në një nga pikat më të nxehta strategjike të momentit.
(Burimi: BBC)






