Qeveria prezantoi sot programin për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, një projekt që synon krijimin e një poli të ri urban ku do të përqendrohen institucionet kryesore të sistemit gjyqësor. Aktiviteti u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë dhe përfaqësuesve të gjyqësorit, duke shërbyer si dëgjesë përmbyllëse përpara hapjes zyrtare të garës për projektimin.
Sipas qeverisë, kampusi parashikohet të jetë investimi më i madh i bërë ndonjëherë në infrastrukturën administrative të drejtësisë shqiptare, me qëllim modernizimin e hapësirave të punës për gjyqtarët dhe prokurorët, si edhe krijimin e ambienteve më të aksesueshme për qytetarët.
Rama e cilësoi projektin si një ndërhyrje strategjike afatgjatë. “Është pa diskutim financimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative në Republikën e Shqipërisë,” tha ai, duke shtuar se shifra paraprake mund të afrohet me 100 milionë euro, nëse përfshihen edhe kostot e shpronësimeve dhe mobilimit.
Kryeministri pranoi se projekti do të kërkojë shpronësime për interes publik, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi zonën konkrete qё pritet tё preket. Kjo mungesë informacioni ngre pikëpyetje për transparencën, sidomos duke pasur nё konsderatё se vite më parë u investuan miliona euro për blerjen e një poli tjetër për drejtësinë nga Dhoma e Avokatisë — një fakt që e bën të paqartë pse po mendohet një strukturë e re pa një bilanc publik mbi investimet ekzistuese.
Rama theksoi se projekti do të financohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit dhe se ndërtimi, nëse gjithçka ecën sipas planit, mund të nisë rreth fillimit të vitit 2028, me një afat realizimi prej të paktën tre vitesh. Në praktikë, kjo nënkupton një horizont minimal pesëvjeçar deri në funksionalizimin e plotë të kampusit.
Ai argumentoi se kushtet aktuale të institucioneve janë problematike, duke përmendur faktin se shumë prej tyre operojnë në ambiente me qira ose në hapësira të papërshtatshme. “Nuk mund të themi sot se gjykatësit dhe prokurorët punojnë në standardet më të larta,” u shpreh Rama, duke përshkruar mjediset ekzistuese si të prapambetura edhe nga pikëpamja teknologjike.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u ndal edhe te digjitalizimi i sistemit. Kryeministri kritikoi fragmentarizimin e deritanishëm të platformave teknologjike, duke thënë se “ishte ndërtuar një sistem kioskash që nuk ndërvepronin me njëra-tjetrën”, çka sipas tij çoi në humbje fondesh dhe vonesa.
Në një deklaratë që tërhoqi vëmendje, Rama parashikoi edhe ndikimin e inteligjencës artificiale në drejtësi, duke thënë se “në 4-5 vitet e ardhshme ndihmësi ligjor nuk do të ekzistojë më si profesion”, pasi mund të zëvendësohet nga teknologjia. Ai madje sugjeroi se në të ardhmen edhe disa funksione gjyqësore mund të automatizohen pjesërisht.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e sistemit ngritën shqetësime konkrete. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kërkoi sqarime mbi vendosjen e këtij institucioni në kampus, duke theksuar se duhet të dihet nëse Gjykata e Lartё do të jetë pjesë e kompleksit apo në një godinë të veçantë. Rama konfirmoi se ekziston një alternativë për një ndërtesë administrative të ndërtuar përmes një zhvillimi privat, por la të hapur vendimmarrjen përfundimtare.
Sadushi paralajmëroi gjithashtu se disa institucione mund të përballen me vështirësi funksionale brenda 2-3 viteve për shkak të mungesës së hapësirave, duke kërkuar zgjidhje të përkohshme deri në ndërtimin e kampusit.
Ndërkohë, Rama ngriti shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të numrit të stafit në sistem, duke kërkuar racionalizim të kërkesave për hapësira dhe personel. “Çdo person që shtohet, shtohen metrat katrorë dhe shtohen shpenzimet,” tha ai, duke paralajmëruar se fondet publike nuk janë të pakufizuara.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, e cilësoi procesin “vizionar” dhe një lajm të mirë për drejtësinë, ndërsa kërkoi që i njëjti seriozitet të reflektohet edhe për institucionet arsimore që përgatisin juristët.
Qeveria paralajmëroi se paralelisht do të identifikohen nevoja për godina gjyqësore edhe jashtë Tiranës, por atje pritet të përdoret modeli i bashkëpunimit me sektorin privat — duke ofruar terrene shtetërore në këmbim të ndërtimit të objekteve.
Një tjetër pikë që nuk mund të kalohet pa vëmendje është vetë modeli që kryeministri e përshkroi si “qasja e re” me Korporatën Shqiptare të Investimeve: mbledhja e copëzave të pronave shtetërore – shpesh në Tiranë – dhe vënia e tyre në dispozicion të projekteve ku përfitojnë edhe privatët, me logjikën “japim tokë, marrim mbrapsht zyra”. Në letër tingëllon si menaxhim pasurie publike, por në praktikë rrezikon të kthehet në mekanizëm të transferimit të aseteve më të vlefshme të shtetit drejt interesave private, sidomos kur bëhet fjalë për prona “në copa të vogla” që, si rregull, janë në zona me vlerë shumë të lartë ekonomike dhe urbanistike. Kjo bёn qё tё duket sikur “modernizimi” kthehet nё njё mënyrë tё rafinuar për të zhvendosur pasurinë publike nё qendёr tё kryeqytetit drejt xhepave privatë.
Megjithëse projekti paraqitet si një zgjidhje përfundimtare dhe dinjitoze për sistemin e drejtësisë, mungesa e detajeve mbi vendndodhjen, kostot e plota dhe raportin me investimet e mëparshme e bën të pashmangshme kërkesën për më shumë transparencë. Sepse një “pol i ri” nuk është thjesht një projekt arkitektonik — është një angazhim financiar afatgjatë që kërkon qartësi publike po aq sa vizion institucional.













