Policia belge ka kryer kontrolle në ambientet e Komisioni Evropian në Bruksel, në kuadër të një hetimi mbi një marrëveshje të pasurive të paluajtshme të realizuar në vitin 2024 me shtetin belg.
Burime pranë hetimit konfirmuan se bastisjet u zhvilluan herët të enjten, ndërsa institucioni evropian deklaroi se është “në dijeni të një hetimi” për shitjen e 23 ndërtesave dhe se ka besim që procesi është kryer në përputhje me rregullat.
Transaksioni, me vlerë rreth 900 milionë euro, u realizua në një kohë kur Komisioni synonte të reduktonte hapësirat e zyrave me rreth një të katërtën, pasi puna nga shtëpia u rrit ndjeshëm pas pandemisë së COVID-19.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) konfirmoi se po kryen veprime për mbledhjen e provave në kuadër të hetimit, por nuk dha detaje të tjera për të mos rrezikuar procedurat.
Komisioni theksoi se është “i përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies” dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me EPPO-n dhe autoritetet kompetente belge.
Pronat u blenë nga fondi sovran belg SFPIM, i cili planifikon t’i rinovojë për t’i bërë më të qëndrueshme dhe për t’i rikthyer në treg si hapësira biznesi dhe banimi. Ndërkohë, autoritetet në Bruksel synojnë të transformojnë lagjen evropiane — zonën ku ndodhen shumica e institucioneve të BE-së — për ta bërë më miqësore për qytetarët.
Sipas raportimeve, hetimi lidhet me dyshime për “parregullsi” në shitjen e pasurive që u zhvillua gjatë periudhës kur Johannes Hahn shërbente si komisioner i Buxhetit të BE-së. Hahn aktualisht mban postin e të dërguarit të Komisionit për çështjen e Qipros.
EPPO është organi i pavarur i ndjekjes penale i Bashkimit Evropian, përgjegjës për hetimin e krimeve që prekin interesat financiare të bllokut.
(Burimi: AFP, Financial Times, Cyprus Mail)






