Policia e Tiranës ka njoftuar mesditën e sotme se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit të paralajmëruar nga Partia Demokratike për këtë mbrëmje, në orën 18:00, para Kryeministrisë. Njoftimi vjen disa orë përpara nisjes së protestës, ndryshe nga praktika e ndjekur më 10 shkurt, kur paralajmërimet për qytetarët dhe masat e marra u bënë publike një ditë më herët.
Sipas reagimit zyrtar, vendimi është bazuar në analizën e riskut dhe në precedentët e protestës së kaluar, ku pati shtetas të maskuar që hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke lënduar punonjës policie. Po ashtu, policia thekson se ka informacione për mundësi veprimesh të dhunshme edhe në tubimin e sotëm.
Megjithatë, në të njëjtin njoftim, Policia e Tiranës deklaron se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në rast se tubimi zhvillohet. Kjo formulë – “nuk e marrim përsipër zhvillimin e tubimit”, por njëkohësisht garantojmë rendin – ka ngritur pikëpyetje mbi kuptimin juridik të saj.
Sipas ligjit për Policinë e Shtetit, misioni i policisë është “ruajtja e rendit e të sigurisë publike, garantimi i zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut”. Ndërkohë, ligji “Për tubimet” parashikon se organizatorët kanë detyrimin të njoftojnë autoritetet, ndërsa policia ka detyrimin të marrë masa për mbarëvajtjen dhe sigurinë e tubimit, duke ndërhyrë vetëm në rast se cenohen rendi publik apo siguria.
Në këtë kuadër, policia nuk ka kompetencë të “miratojë” apo “mosmiratojë” një tubim të njoftuar, përveç rasteve kur ka arsye të qarta dhe të dokumentuara për ndalim, të cilat duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të motivuara. Deklarata se “nuk e merr përsipër zhvillimin” duket më shumë si një distancim institucional nga përgjegjësia për çdo akt të mundshëm dhune.
Kjo e bën edhe më të ndjeshme formulimin e përdorur nё njoftimin publik. Sepse kur një institucion që ka për mision ligjor garantimin e rendit dhe sigurisë publike deklaron se “nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, ndërkohë që paralajmëron për informacione mbi akte të mundshme dhune, lind natyrshëm dyshimi: a po parapërgatitet terreni për një përshkallëzim të situatës?
Nëse policia disponon informacione konkrete për rrezik, detyrimi i saj është parandalimi, izolimi i elementëve problematikë dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve – jo distancimi paraprak nga përgjegjësia. Një deklaratë e tillë, e bërë pak orë para protestës, mund të interpretohet si një zhvendosje e barrës së përgjegjësisë në rast incidentesh, duke krijuar hapësirë për tension dhe përplasje.
Njoftimi i plotё i Policisё sё Shtetit nё rrjetin social Facebook:
Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.






