Harrojeni për një moment etiketën “i pasur me proteina”. Viti 2026 po shpall një mbret të ri në botën e ushqimit: fibrën. Konsumatorët, veçanërisht të rinjtë e gjeneratës Z, po e kthejnë shëndetin e stomakut në fiksim dhe rrjetet sociale kanë krijuar një trend të ri me emrin “fibermaxxing” – gara për të futur sa më shumë fibra në çdo vakt.
Arsyeja është e thjeshtë. Gjenerata e re e lidh shëndetin e tretjes jo vetëm me mirëqenien e trupit, por edhe me lëkurë më të pastër, energji më të mirë dhe përqendrim më të lartë. Studime të tregut tregojnë se mbi gjysma e konsumatorëve janë të gatshëm ta provojnë këtë trend, ndërsa shumë prej tyre e konsiderojnë automatikisht një produkt “me shumë fibra” si më të shëndetshëm.
Dyqanet ushqimore po përshtaten me shpejtësi. Raftet po mbushen me produkte të reja që theksojnë përmbajtjen e fibrës në paketim, nga snack-e e ҫokollata energjitike, deri te pije të pasuruara me drithëra. Kompanitë e mëdha të ushqimit kanë kuptuar sinjalin. Drejtues të industrisë ushqimore kanë deklaruar hapur se fibra do të jetë “proteina e re”, duke pranuar se shumica e njerëzve nuk marrin as afër sasisë së rekomanduar ditore.
Edhe prodhuesit e pijeve freskuese po hyjnë në lojë, duke lançuar pije me fibra të shtuara për “shëndetin e zorrëve”. Po ashtu, zinxhirë të mëdhenj fast-food-i kanë lënë të kuptohet se po shqyrtojnë produkte të reja të orientuara drejt këtij trendi. Beteja kryesore pritet të zhvillohet te patatinat dhe ushqimet e shpejta – që tani po prodhohen gjithnjë e me më shumë bishtajore dhe përbërës bimorë të pasur me fibra.
Por një sfidë mbetet vendimtare: shija. Konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë më shumë për produkte “më të shëndetshme”, por vetëm nëse nuk sakrifikojnë kënaqësinë e të ngrënit. Kjo ka hapur rrugë edhe për markat private të supermarketeve, të cilat po nxjerrin versione më të lira të produkteve tё mirёqёnies, pa çmime premium.
Megjithatë, ekspertët e ushqyerjes paralajmërojnë se produktet e paketuara nuk janë zgjidhja magjike. Edhe pse rritja e konsumit të fibrës shihet si trend pozitiv, specialistët theksojnë se burimi më i mirë mbeten ushqimet e freskëta: perimet, frutat, drithërat integrale dhe bishtajoret. Udhëzimet më të fundit ushqimore në SHBA këshillojnë pikërisht këtë: më shumë ushqim i vërtetë, më pak produkte të përpunuara.
Ironikisht, ushqimet që ndihmojnë më shumë “fibermaxxing” shpesh nuk kanë etiketa apo marketing të bukur. Ato gjenden thjesht në seksionin e perimeve të freskëta.
Trendi i fibrës po rritet me shpejtësi dhe industria ushqimore po investon fuqishëm në të. Por mes marketingut dhe paketimit modern, shëndeti i zorrëve po kthehet në prioritet global – dhe fibra është bërë protagonisti i ri i tryezës sonë.
(Burimi: CNN)






