Shpesh ekziston bindja se njerëzit që mbeten në marrëdhënie toksike ose abuzive janë të dobët, të varur emocionalisht ose të pavetëdijshëm për dëmin që po përjetojnë. Në realitet, e kundërta ndodh shumë shpesh: shumë prej tyre janë inteligjentë, empatikë, të ndjeshëm dhe funksionalë, njerëz që e shohin qartë problemin, madje janë në gjendje ta shpjegojnë me detaje, por megjithatë nuk arrijnë të largohen.
Këta persona zakonisht janë shumë të ndjeshëm dhe të zgjuar emocionalisht – jo domosdoshmërisht në kuptimin e notave apo IQ-së, por në mënyrën se si e përjetojnë botën: me thellësi, shpejtësi mendimi, ndjeshmëri të lartë emocionale dhe aftësi për të parë lidhje e modele që të tjerët nuk i vërejnë. Pikërisht këto cilësi, që në shumë aspekte janë forcë, mund t’i bëjnë më të pambrojtur ndaj marrëdhënieve toksike.
Kur fëmija bëhet prind
Shumë të rritur të ndjeshëm dhe inteligjentë kanë kaluar fëmijërinë në një rol të quajtur parentifikim – një përmbysje rolesh ku fëmija merr përgjegjësi emocionale ose praktike që i takojnë prindit. Ata mund të kenë qenë kujdestarë për vëllezërit e motrat, mbështetje emocionale për prindërit ose “rregullatorë” të tensioneve familjare.
Me kalimin e kohës, ky rol bëhet identitet. Si të rritur, këta njerëz ndihen të detyruar të qetësojnë, stabilizojnë dhe “mbajnë në këmbë” njerëzit e vështirë përreth tyre. Nevojat personale shtyhen mënjanë, ndërsa dhimbja emocionale normalizohet. Edhe në një marrëdhënie të dëmshme, ata mund të mos e shohin vuajtjen e tyre si arsye të mjaftueshme për t’u larguar.
Kur analiza zëvendëson instinktin
Në vend që t’i besojnë instinktit për t’u larguar nga ajo që i lëndon, shumë njerëz inteligjentë bien në spiralen e njё analize të pafundme. Ata lexojnë, studiojnë, analizojnë traumën e partnerit, fëmijërinë e tij, plagët e trashëguara, pasiguritë dhe frikërat që qëndrojnë pas sjelljes shkatërruese.
Por të kuptosh arsyen e një sjelljeje nuk do të thotë ta justifikosh atë. Analiza intelektuale shpesh shërben për të shtypur zemërimin dhe për të racionalizuar atë që nuk duhet toleruar. Potenciali i marrëdhënies – “çfarë mund të ishte” – bëhet më i fortë se realiteti i përditshëm.
Frika nga “dështimi”
Njerëzit e ndjeshëm dhe të aftë shpesh vlerësojnë shumë besnikërinë, këmbënguljen dhe përgjegjësinë. Ata janë mësuar të zgjidhin probleme që të tjerët nuk i zgjidhin dot. Prandaj, pranimi se një marrëdhënie nuk mund të shpëtohet, pavarësisht përpjekjeve, përjetohet si humbje personale.
Por largimi nga një marrëdhënie toksike nuk është dështim. Për shumëkënd, është hera e parë që zgjedh veten, dhe jo rolin që i është imponuar që herët në jetë.
Empatia e thellë që të mban peng
Empatia e lartë do të thotë të ndjesh dhimbjen e tjetrit pothuajse fizikisht. Kur një partner i pasigurt, i papjekur emocionalisht ose manipulues shpreh frikë nga braktisja, vendosja e kufijve sjell ndjenja të forta faji dhe turpi – edhe kur mendja e di se marrëdhënia është e dëmshme.
Etja për lidhje të thellë
Shumë persona të ndjeshëm janë rritur me ndjesinë se janë “shumë” për botën: shumë intensivë, shumë emocionalë, shumë kompleksë. Kur dikush shfaqet dhe duket se i kupton plotësisht, krijohet ndjenja e të qёnurit më në fund i parë. Problemi është se individët që krijojnë marrëdhënie toksike shpesh janë mjeshtër të idealizimit dhe tё mbushjes me fjalё tё ёmbla në fillimet e marrёdhёnies.
Kur fytyra e errët e marrëdhënies shfaqet, lidhja emocionale tashmë është formuar, dhe kujtimi i atyre momenteve të rralla të mirëkuptimit mban personin të lidhur.
Si të çlirohesh
Çlirimi nga një marrëdhënie toksike nuk ndodh vetëm duke kuptuar se “nuk funksionon më”. Ai lidhet me plagë të thella dhe modele të vjetra jetese. Do të thotë të mësosh se fakti që mund të ndihmosh dikё, nuk do të thotë se duhet të sakrifikosh veten. Gjithashtu duhet tё ndёrgjegjёsohesh se vendosja e nevojave të tua para tё tjerёve nuk është egoizëm, dhe se empatia nuk të detyron të vuash.
E njëjta thellësi emocionale që të mbajti besnik ndaj dikujt që nuk ishte i aftë të të mbante, mund të përdoret për të ndërtuar një jetë dhe marrëdhënie që më në fund të përmbushin.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga Imi Lo, “Why Highly Intelligent People Stay in Toxic Relationships”, Psychology Today)






