Nëse ndihesh gjithnjë e më i zhgënjyer nga politika moderne, nuk je i vetmi. Debati publik sot i ngjan më shumë një përplasjeje emocionale sesa një diskutimi racional, ku argumentet zëvendësohen nga ndjesitë dhe besnikëria ndaj “partisё”.
Por problemi nuk është vetëm te politikanët apo mediat. Në një masë të madhe, kjo buron nga mënyra se si funksionon vetë truri ynë.
Një nga arsyet kryesore është se ne shpesh vendosim identitetin mbi të vërtetën. Në thelb, për njerëzit, përkatësia në një grup ka qenë gjithmonë çështje mbijetese. Prandaj, kur një fakt bie ndesh me bindjet tona politike, ne kemi tendencë ta shtrembërojmë atë, në vend që të rrezikojmë të dalim kundër grupit tonë.
Ky fenomen njihet si “mendim që mbron identitetin”: truri nuk kërkon domosdoshmërisht të vërtetën, por ruajtjen e vendit tonë në grup.
Një tjetër mekanizëm është ai që studiuesit e quajnë “tifozllёku” politik. Shumë njerëz mbrojnë qëndrime që në fakt e dinë se janë të gabuara, thjesht për të treguar besnikëri ndaj anës së tyre. Eksperimentet kanë treguar se kur njerëzit paguhen për të dhënë përgjigje të sakta, dallimet mes palëve zvogëlohen ndjeshëm. Pra, shpesh nuk është çështje faktesh, por sinjalizimi i përkatësisë.
Më tej vjen një fenomen edhe më i fortë: arsyetimi i motivuar. Këtu nuk nisim nga faktet për të arritur në një përfundim, por nga përfundimi që duam dhe më pas ndërtojmë argumentet për ta justifikuar. Ne zgjedhim informacionin që na përshtatet dhe shmangim atë që na sfidon, duke krijuar një lloj “tuneli mendimi”.
Këto mekanizma bëhen edhe më të fortë brenda vetë politikës, ku presioni për të qëndruar në linjë me partinë është shumë i madh.
Zgjidhja nuk pritet të vijë nga politikanët. Ajo fillon nga secili prej nesh.
Reduktimi i ekspozimit ndaj mediave shumë të politizuara, leximi më i thelluar i çështjeve dhe përpjekja për të kuptuar pikëpamjet e kundërta janë hapa të thjeshtë, por të rëndësishëm. Qëllimi nuk duhet të jetë të fitojmë debatet, por të kuptojmë më mirë realitetin.
Sepse në momentin që ndalojmë së përpjekuri për të kuptuar tjetrin, rrezikojmë të bëhemi pjesë e të njëjtit problem që kritikojmë.
(Burimi: T. Alexander Puutio Ph.D., Psychology Today)






