Administrata e presidentit amerikan Donald Trump nuk po përgatit një pushtim ushtarak të Groenlandës, por synon blerjen e ishullit nga Danimarka përmes negociatave politike dhe diplomatike. Kështu ka deklaruar Sekretari i Shtetit Marco Rubio, gjatë një informimi të mbyllur me udhëheqjen e Kongresit, sipas The Wall Street Journal.
Rubio u tha ligjvënësve se retorika e fortë e fundit e administratës ndaj Groenlandës nuk duhet interpretuar si paralajmërim për ndërhyrje ushtarake. Qëllimi i Shtëpisë së Bardhë, sipas tij, është arritja e një marrëveshjeje për blerjen e territorit nga Danimarka, ishulli më i madh në botë, i konsideruar strategjik për sigurinë kombëtare amerikane.
Komentet e Rubios erdhën gjatë një takimi informues të zhvilluar pas operacionit amerikan për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe diskutimeve mbi planet e administratës Trump për Amerikën Latine. Gjatë këtij takimi, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, e pyeti drejtpërdrejt Rubion nëse administrata po shqyrtonte përdorimin e forcës ushtarake edhe në vende të tjera, përfshirë Meksikën dhe Groenlandën.
Sipas burimeve të cituara nga WSJ, Rubio minimizoi çdo skenar ndërhyrjeje ushtarake, duke theksuar se nuk ka shenja konkrete që SHBA-ja po përgatit një pushtim të Groenlandës. Të njëjtin vlerësim ndajnë edhe zyrtarë amerikanë dhe evropianë, të cilët nuk kanë vërejtur lëvizje ushtarake apo përgatitje operative në këtë drejtim.
Senatori republikan Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trump në Kongres, deklaroi se veprimet e administratës lidhur me Groenlandën “kanë të bëjnë thjesht me negociata”. Ai theksoi se për çdo prani më të zgjeruar amerikane në territor do të nevojitej bazë ligjore dhe mbikëqyrje institucionale.
Ndërkohë, sondazhet e fundit tregojnë se shumica e banorëve të Groenlandës kundërshtojnë bashkimin me Shtetet e Bashkuara, duke e bërë të paqartë se sa realiste është arritja e një marrëveshjeje të tillë në praktikë.
(Burimi: ANSA / The Wall Street Journal)






