Shumë të rritur ankohen se koha duket sikur kalon gjithnjë e më shpejt me kalimin e viteve. Verat që dikur dukeshin të pafundme tani zëvendësohen nga stinё që duket se ndryshojnё sa hap e mbyll sytë. Por një studim i ri sugjeron se kjo ndjesi nuk lidhet me mungesën e kujtimeve, siç besohej prej kohësh, por me ndryshimet graduale në aftësitë tona njohëse.
Kërkimi, i udhëhequr nga psikologu Marc Wittmann dhe i publikuar në PsyArXiv, analizoi pse dekada e fundit e jetës perceptohet si më e shkurtër teksa plakemi. Në studim morën pjesë 120 persona nga mosha 20 deri në 91 vjeç, të cilëve iu matën kujtimet autobiografike, shpejtësia e përpunimit të informacionit, kujtesa afatshkurtër dhe vëmendja.
Rezultatet sfiduan një teori të përhapur: nuk u gjet asnjë lidhje mes numrit të kujtimeve personale dhe ndjesisë se koha po përshpejtohet. Madje, të moshuarit i përshkruanin kujtimet e tyre si më të gjalla dhe më domethënëse sesa të rinjtë.
Faktori kryesor duket të jetë rënia graduale e disa aftësive njohëse. Studiuesit zbuluan se personat me performancë më të ulët në testet e kujtesës dhe përpunimit të informacionit kishin më shumë gjasa të ndjenin se 10 vitet e fundit kishin kaluar “sa hap e mbyll sytë”. Kur truri regjistron më pak detaje nga përditshmëria, “dendësia” e kujtimeve zvogëlohet dhe, kur kthehemi pas në kohë, vitet duken të ngjeshura.
Rënia e aftёsisё njohëse mund të nisë në mënyrë të lehtë pas moshës 30 vjeç dhe bëhet më e dukshme pas të 50-ave. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se përvojat tona humbasin vlerën. Kujtimet më emocionale dhe momentet kulmore mbeten të forta dhe shpesh shijohen edhe më shumë me kalimin e moshës.
Studiuesit theksojnë gjithsesi se nuk jemi të pafuqishëm përballë këtij procesi. Aktiviteti fizik, marrëdhëniet sociale, angazhimi emocional dhe stimulimi mendor janë faktorë që ndihmojnë në mbrojtjen e funksioneve njohëse.
Me fjalë të tjera, një jetë aktive dhe e pasur me përvoja jo vetëm që mban mendjen më të mprehtë, por mund të bëjë që koha të mos duket sikur rrëshqet kaq shpejt.
(Burimi: Psychology Today)






