Gjatë sulmit të armatosur që tronditi Bondi Beach gjatë një feste të Hanukkah-ut, teksa 15 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, disa qytetarë të zakonshëm bënë diçka që shumica e njerëzve nuk do ta bënte kurrë: u hodhën drejt rrezikut për të ndalur sulmuesit.
Boris dhe Sofia Gurman, një çift i moshuar, u përpoqën të çarmatosnin një nga autorët. Pamjet nga kamerat e makinave tregojnë Boris-in duke u përleshur me sulmuesin, ndërsa Sofia vrapon drejt tyre. Të dy u vranë. Pak më vonë, Reuven Morrison, një gjysh 62-vjeçar, humbi jetën duke hedhur tulla drejt njërit prej sulmuesve. Ahmed al Ahmed, baba i dy fëmijëve, u qëllua por arriti t’i merrte armën njërit prej agresorëve.

Pamjet e këtyre veprimeve u përhapën në mbarë botën dhe u panë nga miliona njerëz. Për shumëkënd, ato krijuan përshtypjen se heroizmi është i zakonshëm. Por ekspertët thonë se realiteti është krejt ndryshe.
Pse shumica e njerëzve nuk veprojnë
“Shumica e njerëzve nuk e bëjnë këtë. Është shumë e rrezikshme,” shpjegon Ari Kohen, politolog në Universitetin e Nebraskës dhe autor i librit Untangling Heroism. Në situata rreziku ekstrem, reagimi natyror i njeriut është të ikë ose të ngrijë.
Kjo lidhet me atë që njihet si “efekti i spektatorit”, ideja se sa më shumë njerëz të jenë të pranishëm në një emergjencë, aq më pak përgjegjësi ndjen secili për të vepruar, duke menduar se dikush tjetër do të ndërhyjë. Edhe pse ky fenomen nuk është absolut, ai shpjegon pse në shumë raste njerëzit mbeten pasivë.
Çfarë ndodh në trurin e një heroi
Sipas Steven Quartz, profesor i filozofisë dhe neuroshkencës në Caltech, heroizmi kërkon një “stuhi perfekte” në tru. Instinkti bazë i njeriut është vetëruajtja, sidomos në situata kaotike dhe vdekjeprurëse. Që dikush të veprojë ndryshe, duhet të bashkohen disa elementë:
- Ndërgjegjësimi i menjëhershëm se dikush tjetër është në rrezik dhe një ndjeshmëri e fortë emocionale ndaj tij;
- Bindja, qoftë edhe për një çast, se veprimi personal mund të bëjë ndryshim;
- Një vendim i shpejtë që e shtyn trurin nga frika drejt veprimit.
Sapo këto elementë bashkohen, disa njerëz kalojnë nga instinkti i ikjes në veprim të drejtpërdrejtë.
Quartz vlerëson se rreth 10% e popullsisë ka natyrshëm një nivel shumë të lartë empatie, që mund t’i shtyjë drejt veprimeve të guximshme. Megjithatë, ai thekson se heroizmi nuk është vetëm çështje gjenetike. Empatia mund të forcohet edhe përmes identifikimit me tjetrin.
Empatia përtej dallimeve
Në pamje të parë, heronjtë e Bondi Beach nuk kishin shumë gjëra të përbashkëta. Gurmanët ishin emigrantë nga Ukraina, Ahmed al Ahmed ishte mysliman me origjinë siriane, ndërsa Morrison ishte hebre ortodoks që kishte ikur nga Bashkimi Sovjetik. Por Bondi Beach njihet si një hapësirë ku komunitete të ndryshme bashkëjetojnë dhe ndihen të sigurta.
Sipas studiuesve, kjo ndjenjë komunitare luajti rol kyç. Kur njerëzit ndihen pjesë e të njëjtёs hapësirë dhe vlere, empatia rritet, pavarësisht dallimeve fetare apo kulturore.
Shembuj të tillë nuk janë të rinj në histori. Gjatë Holokaustit, një fshat i tërë në Francë, Le Chambon-sur-Lignon, rrezikoi jetën për të shpëtuar mijëra hebrenj, sepse banorët identifikoheshin me ta për shkak të historisë së tyre të persekutimit fetar.
Zemërimi si shtysë për veprim
Përveç empatisë, disa nga dëshmitarët në Bondi Beach thanë se vepruan edhe nga zemërimi. Pamja e armëve në një hapësirë publike, familjare dhe paqësore ishte aq e papranueshme për ta, sa reaguan instinktivisht.
“Kur shohim diçka që bie ndesh dhunshëm me mënyrën se si e kuptojmë botën, ndihemi të detyruar të veprojmë,” shpjegon Matt Langdon, drejtor i Heroic Imagination Project.
A mund të mësohet heroizmi?
Ekspertët besojnë se po. Historitë e heronjve të zakonshëm, të shpërndara në media dhe rrjete sociale, mund të ndikojnë tek njerëzit duke i bërë të mendojnë: “Po sikur të isha unë aty?”
Përgatitja praktike është po aq e rëndësishme. Trajnime si ndihma e shpejtë, përdorimi i defibrilatorëve apo pёr ndalimin e gjakderdhjes, rrisin ndjeshëm gjasat që një person të ndërhyjë në një emergjencë.
Sipas Kohen, mesazhi kryesor nga Bondi Beach është i qartë: heroizmi i përditshëm nuk është privilegj i pak njerëzve të jashtëzakonshëm.
“Këta njerëz janë si ne,” thotë ai. “Ndonjëherë, dikush gjendet në një situatë të tmerrshme dhe vepron. Dhe kjo është diçka që, në rrethana të caktuara, secili prej nesh mund ta bëjë.”
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga CNN)






