Për vite me radhë, kinemaja dhe kultura pop na kanë ushqyer me figurën e psikopatit tipik: zakonisht burrë, i ftohtë, i rrezikshëm, një lloj Patrick Bateman-i modern që ecën midis nesh me një maskë të akullt. Por një studim i ri, i realizuar nga “Université Libre de Bruxelles”, sapo ka përmbysur këtë mit – duke treguar se psikopatia tek gratë është shumë më e pranishme dhe më e ndërlikuar sesa është menduar deri më sot.
Në këtë kërkim morën pjesë 492 persona, të cilët u vlerësuan për funksionimin e tyre emocional dhe lidhjen e tij me të ashtuquajturën Triada e Errët – një treshe famëkeqe tiparesh që përfshin narcizizmin, makiavelizmin dhe psikopatinë. Rezultatet sollën një zbulim të papritur: te gratë, psikopatia ka një lidhje shumë të fortë me dy dobësi të brendshme emocionale – aleksitiminë dhe anhedoninë – ndërsa tek burrat kjo lidhje thuajse nuk shfaqet fare.
Aleksitimia, shpesh e quajtur “verbëri emocionale”, është paaftësia për të përkthyer apo kuptuar emocionet, një lloj mjegulle e vazhdueshme emocionale. Anhedonia, nga ana tjetër, është mungesa pothuaj totale e kënaqësisë, motivimit dhe interesit – një boshllëk që mund të fshihet mjeshtërisht pas një buzëqeshjeje të qetë. Studiuesit theksuan se këto dy dukuri “janë qartësisht të pranishme te femrat me tipare psikopatike, por mungojnë tek meshkujt”, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si gjinitë përjetojnë dhe shprehin mosfunksionimin e tyre emocional.
Ky ndryshim i habitshëm mund të ketë rrënjë biologjike, sidomos kur merren parasysh hormonet si testosteroni, i cili tek meshkujt lidhet me dominim, impulsivitet, ndёrmarrje rreziku dhe një reagim emocional të dobët. Ose mund të jetë sociokulturor: një burrë me tipare psikopatike mund të shfaqë pakënaqësi përmes agresionit, nervozizmit apo sjelljes së rrezikshme, ndërsa një grua me të njëjtat tipare mund ta “gëlltisë” dhimbjen e saj, duke e kthyer atë në ftohtësi emocionale, boshllëk apo anhedoni. Mund të jetë edhe rezultat i historive më të shpeshta të traumave tek gratë me tipare psikopatike, të cilat shpesh mbartin edhe elementë të ҫrregullimeve kufitare tё personalitetit.
Triada e Errët, koncept psikologjik me reputacion të errët, përfshin narcizizmin (vetëvlerësim të fryrë dhe etje për admirim), makiavelizmin (manipulim i ftohtë dhe interes i pastër personal), dhe psikopatinë (impulsivitet, mungesë empatie dhe shpërfillje të të drejtave të të tjerëve). Deri më sot, kërkimet mbi këto tipare shpesh kanë nxjerrë në pah sjellje përtej emocioneve – nga mospëlqimi i kafshëve e deri te poshtërimi i njerëzve apo prirja për të mos u lidhur kurrë në marrëdhënie afatgjata. Por lidhja mes Triadës së Errët dhe dobësive të brendshme emocionale është ajo që ky studim ndriçoi për herë të parë me qartësi.
Për të kuptuar këtë dinamikë, studiuesit analizuan sjelljet dhe ndjeshmëritë emocionale të 492 të rriturve. Dhe konkluzioni ishte i prerë: psikopatia femërore është më e lidhur me çrregullime emocionale sesa ajo mashkullore. Gratë me tipare të larta të Triadës së Errët kishin vështirësi të dukshme në identifikimin e emocioneve dhe prirje drejt mungesës së kënaqësisë në përditshmëri. Tek meshkujt, një lidhje e tillë nuk u gjet fare.
Ndërkohë, studime të tjera konfirmojnë se psikopatet femra janë më të zakonshme se sa supozohej, por kanë kaluar për shumë vite të padukshme – thjesht sepse mjetet diagnostike janë ndërtuar për të kapur sjellje tipike mashkullore, si agresioni fizik. Sipas ekspertit Dr. Clive Boddy, psikopatët udhëhiqen nga nevoja për pushtet dhe kontroll. Për burrat, kjo shpesh shfaqet përmes dhunës, kërcënimit apo dominimit fizik. Për gratë, psikopatia merr forma më të rafinuara: manipulim përmes joshjes, përhapje thashethemesh, agresion emocional dhe strategji të fshehta që u japin avantazh personal mbi të tjerët.
Psikopatët, pavarësisht gjinisë, shpesh janë të veshur me sharm sipërfaqësor, vetëbesim të fryrë dhe aftësi manipuluese. Ata dinë të imitojnë ndjenjat që nuk i ndjejnë, duke përdorur gjuhё trupi dhe tone zëri të mësuara, për t’u dukur “normalë”. Një psikopat i vetëshpallur, Jacob Wells, e përshkruan me sinqeritet mënyrën se si vepron: krijon besim përmes shkёmbimit tё sekreteve, kërkon favore dhe beson se mund të jetë “personi më interesant në çdo dhomë”. Një shembull i gjallë i egos së fryrë që fshihet pas një buzëqeshjeje të qetë.
Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se edhe mjekët dhe psikologët mund të mashtrohen lehtë gjatë një takimi të shkurtër me një psikopat — kjo, sepse ata janë mjeshtra të imitimit emocional.
Në fund të fundit, studimi i ri na detyron të rishikojmë një të vërtetë të pakëndshme: psikopatia tek gratë ekziston, është më e fshehtë, më e heshtur dhe shpesh shumë më e rrezikshme në mënyrën se si manifestohet. Dhe për herë të parë, shkenca po e dëgjon seriozisht këtë zë të errët që më parë e injoronte.
(Burimi: Daily Mail)






