Nga kontrasT.al
Pak histori
Puna vullnetare gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri ishte një “armë” ideologjike. Por ajo u përdor në masë për zhvillimin ekonomik, në ndërtimin e infrastrukturës. Hekurudhat, veprat bujqësore, rrugët, veprat industriale u ndërtuan me “aksion” masiv, punë vullnetare ku rinia dhe punëtorët punonin pa pagesë. Vullnetarizmi u konsiderua nga regjimi i asaj kohe si detyrë patriotike dhe altruiste për mirëqenien e përbashkët të popullit.
Edhe pse quhej punë vullnetare, pjesëmarrja shpesh u bë e detyrueshme. Kjo bëri që të humbë elementi altruist dhe kulturor i saj. Në Shqipëri puna vullnetare u zhduk plotësisht me ardhjen e demokracisë. Ajo u konsiderua atavizëm i regjimit të përmbysur komunist.

Ligji për vullnetarizmin
Puna vullnetare ose vullnetarizmi, sot konsiderohet si “detyrë” qytetare dhe shoqërore që sanksionohet në një ligj.
Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 94/2025 “Për vullnetarizmin”, i botuar në Fletoren Zyrtare më 21 janar 2026, dhe që pritet të hyjë në fuqi pas përmbushjes së afatit 15-ditor nga publikimi.
Për herë të parë, Shqipëria pajiset me një kuadër të plotë ligjor që rregullon një fushë që deri më sot nuk ka qenë as e normuar dhe as praktikë e konsoliduar: vullnetarizmin si instrument shërbimi publik dhe solidariteti shoqëror.
Ligji vendos rregulla të qarta mbi atë çfarë është vullnetarizmi, kush mund ta organizojë, si lidhet kontrata me vullnetarin, cilat janë të drejtat dhe detyrimet e palëve, si regjistrohet dhe si monitorohet kjo veprimtari. Në thelb, ai synon të krijojë një kulturë qytetarie aktive, veçanërisht për të rinjtë, duke i hapur rrugë programeve të vullnetarizmit në arsim, shëndetësi, mjedis, mbrojtje sociale dhe shërbime komunitare. Ky është një zhvillim pozitiv për një shoqëri që deri më tani e ka njohur vullnetarizmin vetëm në formë sporadike dhe pa garanci ligjore.
Ligji parashikon që vullnetarizmi të mos jetë punë e maskuar pa pagesë, por veprimtari në të mirë dhe interes të publikut, pa përfitim material dhe pa zëvendësuar vendet normale të punës. Ai vendos kufij të orarit, ndalon shfrytëzimin e vullnetarëve, kërkon kontrata të shkruara në raste të caktuara dhe krijon regjistra elektronikë për evidentimin e çdo programi vullnetarizmi. Po ashtu, hap rrugën për certifikata dhe libreza vullnetari, që njihen si përvojë pune në tregun e punës – një stimul i rëndësishëm sidomos për të rinjtë që kërkojnë të hyjnë në jetën profesionale.
Një risi tjetër është hapja e mundësisë që edhe persona juridikë fitimprurës – pra biznese private – të mund të organizojnë vullnetarizëm, por vetëm nëse plotësojnë kushte strikte: aktiviteti vullnetar duhet të jetë jashtë fushës së tyre normale të biznesit, nuk duhet të gjenerojë fitim dhe nuk duhet të zëvendësojë punën e punëmarrësve të zakonshëm. Për çdo program kërkohet miratim paraprak nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe procedurat do të kryhen përmes platformës “e-Albania”. Në letër, këto janë garanci të forta. Por pikërisht këtu lind edhe problematika kryesore.
Abuzimi “vullnetar” dhe rreziku i informalitetit
Në një treg pune informal dhe në një realitet ku kontrolli institucional është i dobët, ekziston rreziku real që disa biznese ta përdorin vullnetarizmin si maskë për punë të papaguar. Një subjekt mund të shpallë “program vullnetarizmi” për veprimtari që realisht janë pjesë e biznesit të tij të deklaruar ose edhe për aktivitete që nuk i ka të regjistruara në QKB, duke shfrytëzuar të rinj ose persona në nevojë pa kontrata pune dhe pa pagesë. Në letra do të figurojnë si vullnetarë; në praktikë do të jenë fuqi punëtore pa të drejta.
Një tjetër skenar i mundshëm abuzimi është ai i pagesave informale: individë që në sistem deklarohen si “vullnetarë”, ndërsa në realitet paguhen “në dorë” jashtë çdo skeme tatimore dhe pa kontribute shoqërore e shëndetësore. Kjo do të krijonte jo vetëm shfrytëzim të punës së lirë, por edhe shmangie të detyrimeve ndaj shtetit.
Ligji parashikon inspektim nga Inspektorati i Punës dhe sanksione, por suksesi i tij do të varet nga forca reale e kontrollit dhe transparenca e zbatimit. Në një vend ku shpesh ligjet janë më të forta në letër sesa në terren, rreziku që vullnetarizmi të kthehet në kanal abuzimi është i shumë i pranishëm.
Nga ana tjetër, ky ligj ka edhe kosto financiare. Parashikohet financim shtetëror i programeve të vullnetarizmit, krijim platformash elektronike, regjistrash digjitalë, sisteme raportimi dhe administrimi. Shqipëria dihet që tashmë ka një histori jo të mirë me sistemet IT shtetërore të kushtueshme dhe me mirëmbajtje të shtrenjtë. Po ashtu, fondet për mbështetjen e programeve vullnetare duhet të shpërndahen me kritere transparente, për të shmangur financime selektive ose klienteliste.
Pra, ligji sjell një ide të mirë, një qëllim modern dhe një instrument të nevojshëm për shoqërinë shqiptare. Ai mund të krijojë një kulturë të re solidariteti dhe të përfshirjes qytetare, sidomos për të rinjtë. Por në të njëjtën kohë, hap edhe një territor të ri ku mund të lulëzojnë abuzimet me punën e papaguar, shmangia fiskale dhe programet fiktive të vullnetarizmit.
A jemi gati për vullnetarizmin?
Në fund, rëndësia e vërtetë nuk qëndron vetëm tek ligji, ekzistenca e tij, por tek mënyra si shteti do ta zbatojë dhe do ta mbikëqyrë këtë “detyrim” me sfond tërësisht moral. Ideja është e mirë. Qëllimi është i dobishëm. Sfida do të jetë që vullnetarizmi të mos kthehet në shteg për shfrytëzim të punës dhe shmangie të detyrimeve ndaj shtetit, por të mbetet vёrtet një mjet solidariteti dhe shërbimi publik.
Puna vullnetare në vetvete është një aktivitet altruist ku përfitimi financiar vetëpërjashtohet me vullnet të plotë. Shoqëria shqiptare është kthyer në një shoqëri tipike pragmatike ku pagesa dhe përfitimi material është baza e çdo marrëdhënieje. Pragmatizmi individual është kthyer në një “sëmundje” kolektive.
Është kjo arsyeja që puna vullnetare në Shqipëri mund të gjendet para një “muri” të lartë mospranimi, ku shoqëria megjithëse e pajisur me një ligj – gjendet ende shumë larg vullnetarizmit, si kulturë qytetare.

© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






