Presidenti rus Vladimir Putin ka lëshuar një paralajmërim të ri të ashpër ndaj Ukrainës, duke deklaruar se Moska nuk do të pranojë asnjë marrëveshje pa dorëzimin e plotë të Donbasit. Në një intervistë për India Today, Putin tha hapur: “Ose i çlirojmë këto territore me forcë, ose trupat ukrainase do të largohen vetë.” Sipas tij, Rusia aktualisht kontrollon rreth 85% të rajonit.
Deklaratat e Putinit vijnë menjëherë pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se negociatorët e tij që zhvilluan bisedime në Moskë besonin se udhëheqësi rus “donte t’i jepte fund luftës”. Por Kievi e ka mohuar kategorikisht çdo mundësi dorëzimi territori. Presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur se integriteti territorial i Ukrainës nuk është i negociueshëm.
Versioni fillestar i planit amerikan të paqes propozonte që zonat e Donbasit ende nën kontrollin ukrainas të kalonin de facto nën kontrollin rus, por delegacioni amerikan i kryesuar nga Steve Witkoff ka paraqitur në Moskë një version të modifikuar. Putin tha se nuk e kishte parë draftin e ri para takimit të tij me Witkoff dhe Jared Kushner, çka çoi në një diskutim të gjatë dhe të vështirë. Ai shtoi se Moska nuk ka rënë dakord me disa nga propozimet e Uashingtonit.
Pikat më të nxehta mbeten të pandryshuara: çfarë do të ndodhë me territoret që Rusia mban të pushtuara dhe çfarë garancish sigurie do t’i jepen Ukrainës. Këshilltari i lartë i Putinit, Yuri Ushakov, deklaroi pas takimit se “nuk u arrit asnjë kompromis” dhe sugjeroi se pozicioni i Moskës është forcuar nga përparimet e fundit ushtarake.
Kievi akuzon Rusinë për zvarritjen e çdo procesi negociues me qëllim fitimin e më shumë territori. Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybhia u shpreh se Putin po “humb kohën e botës”, duke insistuar se çdo marrëveshje duhet të garantojë sigurinë e Ukrainës në mënyrë të pakthyeshme. Zelensky tha se ekziston “një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës”, por vetëm nëse bota ushtron presion të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, të cilën ai e akuzon për bllokimin e qëllimshëm të armëpushimit.
Ndërkohë, në një zhvillim të veçantë, revista Der Spiegel raportoi se ka siguruar një transkript konfidencial të një konference telefonike mes liderëve evropianë, të cilët shprehën shqetësim se SHBA-të mund të “tradhtojnë Ukrainën” duke bërë pazare për territor pa garanci të qarta sigurie. Sipas dokumentit, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi për rrezikun e një kompromisi të rrezikshëm, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz tha se “Zelensky duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm në ditët në vijim”. Presidenti finlandez Alexander Stubb shtoi: “Nuk duhet t’i lëmë Ukrainën dhe Volodymyr-in vetëm me këta djem.”
Lufta në Ukrainë po vazhdon në vitin e saj të tretë që prej pushtimit të shkallës së plotë në shkurt 2022. Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit dhe, pavarësisht humbjeve të mëdha, ka shënuar përparime të ngadalta në juglindje gjatë javëve të fundit.






