Vitin e kaluar, në premierën e filmit Magjistari i Kremlinit në Festivalin e Filmit në Venecia, Jude Law u shpreh se nuk kishte frikë nga pasojat për mënyrën se si portretizon Vladimir Putin. Por ironikisht, jo sepse filmi e sfidon Kremlinin – përkundrazi, sepse përputhet aq mirë me mitin e ndërtuar prej vitesh nga propaganda ruse, sa më shumë duket si kompliment sesa si kritikë.
Prej kohësh, Kremlini dhe kultura pop në Rusi kanë bashkëpunuar për të krijuar një figurë pothuajse mitologjike të Putinit: një lider pa moshë, pa gabime, ish-spiun i KGB-së i shndërruar në strateg të ftohtë, një “James Bond” rus që gjithmonë di më shumë sesa thotë. Ky imazh i sajuar ka eklipsuar prej kohësh Putinin real – njeriun konkret pas pushtetit.
Një shembull i freskët i këtij mitizimi është seriali televiziv rus Kronikat e Revolucionit Rus, i publikuar në tetor dhe i drejtuar nga regjisori Andrei Konchalovsky, i njohur për afërsinë e tij me Kremlinin. Personazhi kryesor, një oficer imagjinar i shërbimeve sekrete, paraqitet si shpëtimtari i Rusisë nga kaosi. Edhe pse nuk quhet Vladimir, mesazhi është i qartë: shpëtimtari i vendit duhet të vijë nga shërbimet e sigurisë.
Në këtë kontekst, edhe portretizimet perëndimore shpesh përfundojnë duke forcuar të njëjtёn narrativë. Filmi Magjistari i Kremlinit, me regji të Olivier Assayas dhe bazuar në romanin satirik të Giuliano da Empoli-t, synon teorikisht ta çmontojë kultin e Putinit, duke e paraqitur atë si produkt të një makinerie politike dhe jo si arkitekt të vetëm të pushtetit. Rrëfimi fokusohet te “spin-doctor”-i Vadim Baranov dhe rrethi që e rrethon liderin rus, më shumë sesa te vetë Putini.
Megjithatë, në praktikë, filmi bie në të njëjtën kurth. Putini paraqitet si figura e zgjedhur për të stabilizuar vendin: i ri, atletik, ish-spiun – pothuajse një hero i paracaktuar nga fati. Në film, oligarkët i luten që të marrë pushtetin, ndërsa ai shfaqet si strateg i përmbajtur që preferon të sundojë nga hija. Ky është pikërisht miti i eksportuar nga Kremlini.
Realiteti historik është shumë më banal. Askush nuk iu lut Putinit të bëhej president. Në fund të viteve ’90, ai ishte një nga disa kandidatë të mundshëm dhe u zgjodh sepse shihej si i menaxhueshëm dhe besnik ndaj rrethit të ngushtë të Boris Jelcinit. Gazetarë dhe dëshmitarë të asaj kohe theksojnë se ai nuk u përzgjodh për karizëm apo vizion, por sepse dukej i padëmshëm politikisht dhe i kontrollueshëm.
Edhe imazhi i tij si spiun i fuqishëm i KGB-së është ndërtuar më vonë. Sipas studiuesve të biografisë së tij, Putini gjatë viteve në Dresden kryente kryesisht punë administrative dhe teknike, jo operacione spektakolare spiunazhi. Figura e “agjentit legjendar” u ndërtua më pas, si pjesë e mitologjisë politike.
Një rol të çuditshëm në këtë proces ka luajtur edhe kultura perëndimore. Pas ardhjes së Daniel Craig si James Bond, mediat ruse dhe rrjetet sociale nisën ta krahasonin Putinin me 007-ën, deri në postera ku fytyra e Bond-it zëvendësohej me atë të presidentit rus. Këto imazhe u përhapën gjerësisht dhe ushqyen më tej mitin e liderit-spiun.
Në këtë prizëm, përzgjedhja e Jude Law për ta luajtur Putinin është një dhuratë e heshtur për propagandën ruse. Law është i njohur dhe i pëlqyer nga audienca ruse, dhe fakti që filmi shmang tema si protestat masive, opozita apo figura si Alexei Navalny, pavarësisht se mbulon ngjarje deri në vitin 2019, e bën edhe më të pranueshëm për narrativën zyrtare.
Në kinemanë ruse, Putini zakonisht nuk shfaqet drejtpërdrejt: prania e tij sinjalizohet përmes portreteve në mure apo urdhrave “nga lart”. Tani, me Magjistarin e Kremlinit, ai merr më në fund një fytyrë – por një fytyrë që, në vend se ta çmitizojë, e romantizon edhe më shumë pushtetin.
(Burimo: Shkrimi bazohet në analizën e gazetares ruse në mërgim, Natasha Kiseleva)






