Nga kontrasT.al
Në Fletoren Zyrtare nr. 212, të datës 14 nëntor 2025, është publikuar VKM nr. 670, datë 12.11.2025, “Për transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare, të pronave shtetërore për realizimin e projektit të investimit “Korpusi i Sigurisë” një vendim që dukshëm do të ketë ndikim të madh në hartën urbane dhe institucionale të Tiranës.
Me këtë vendim, qeveria transferon një seri pronash shtetërore strategjike në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare, duke i dhënë kësaj korporate kompetenca të pazakonta: të veprojë si zhvillues, të hapë procedura konkurruese me partnerë privatë, të negociojë kontrata, të konsolidojë pronat dhe, më e rëndësishmja, të kryejë prishjen e objekteve ekzistuese në këto prona për t’i zëvendësuar me ndërtime të reja.
I gjithë procesi, justifikohet me projekt-emrin zyrtar “Korpusi i Sigurisë”, por vetë VKM-ja deklaron shprehimisht edhe diҫka mё shumё: pronat do të përdoren edhe për “projekte të tjera të investimit”. Por VKM-ja, nuk jep asnjё tё dhënë, nuk parashikon asnjë detaj se cilat do të jenë këto projekte, kush do të jenë përfituesit përfundimtarë dhe cili është destinacioni real i këtyre hapësirave.
Institucionet që preken janë ndër më të rëndësishmet në sistemin e sigurisë publike: Drejtoria e Policisë së Shtetit, Garda e Republikës, Akademia e Sigurisë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Instituti i Policisë Shkencore, si dhe struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme. Vendimi parashikon se këto institucione do të vazhdojnë aktivitetin e tyre deri në momentin që do të marrin në dorëzim ambiente të reja, pa treguar në asnjë rresht se ku do të ndërtohen këto ambiente të reja dhe nëse ato do të qëndrojnë në të njëjtat zona ku ndodhen sot apo do të zhvendosen diku tjetër. Nëse zhvendosen, nënkuptohet që trualli ku ndodhen aktualisht do të dalë i lirë për zhvillim komercial. Dhe zhvillimi komercial nuk pёrjashton kulla shumёkatёshe nё zonat mё tё preferuara tё Tiranёs – aty ku sot ndodhen institucionet e sigurisё publike.
Lista e pronave të përfshira në vendim është e paraqitur tanimë në forma teknike kadastrale, por nuk është aspak e qartë për publikun, duke mos specifikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se cilat janë godinat dhe vendndodhjet. Megjithatë, në sy bie një nga zonat më të rëndësishme dhe më të lakmuara të kryeqytetit: zona e Akademisë së Sigurisë në Sauk, në një pozicion strategjik pranë qendrës së Tiranës dhe pranë disa prej zhvillimeve më të shtrenjta të viteve të fundit.
Vendimi gjithashtu i jep Korporatës së Investimeve të drejtën që, pas konsolidimit të pronave, të hapë gara për zgjedhjen e partnerëve privatë, duke e shndërruar atë praktikisht në një ndërmjetës mes shtetit dhe sektorit të ndërtimit, një rol që e vendos këtë entitet publik në qendër të sistemit të zhvillimeve të mëdha urbane. Modeli tashmë ёshtё i njohur: institucione publike të vendosura në prona të lakmuara largohen me justifikimin e krijimit të hapësirave të centralizuara të sigurisë, ndërsa trualli i lirë në zona qendrore kthehet më pas në objekt të investimeve private, shpesh në formën e kullave dhe komplekseve shumëfunksionale, në një Tiranë ku hapësirat e fundit të lira tashmë kanë përfunduar.
Në këtë pikë, shumë pyetje mbeten të hapura: ku do të ndërtohet realisht “Korpusi i Sigurisë”, cilat janë projektet e tjera të investimit që përmenden në vendim por nuk emërtohen? Çfarë do të ndërtohet mbi truallin e institucioneve aktuale dhe pse nuk ka transparencë të plotë mbi procesin? A bëhet fjalë për modernizim real të infrastrukturës së sigurisë apo për fazën e radhës të transformimit të Tiranës në një qytet të dominuar nga kulla private? A do të zhvendosen institucione qendrore të sigurisë në periferi, duke lënë zonat më të shtrenjta të qytetit në dispozicion të investimeve imobiliare?
Këto përgjigje nuk jepen në dokumentin zyrtar. VKM-ja krijon një kuadër të gjerë vendimmarrjeje të deleguar dhe lë hapur të gjitha skenarët urbanistikë. Ndërkohë që objekti i deklaruar është ndërtimi i një qendre të unifikuar për strukturat e sigurisë, realiteti i letrës tregon se aktualisht është hapur rruga për transformimin e një prej sipërfaqeve më të mëdha shtetërore në kryeqytet në projekte të ardhshme ndërtimi.









