Tensionet mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor vijojnë të rriten, ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, duke e cilësuar të papranueshëm qëndrimin e tyre dhe duke i akuzuar se po përpiqen t’i imponohen Parlamentit dhe qeverisë për të rritur pagat.
“Që ta dinë shqiptarët… ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3 mijë e 360 euro në 5 mijë e 300 euro… Pra 3 mijë euro doni ju t’i rrisni pagat vetes në muaj me vendim gjykate”, deklaroi Rama.
Kryeministri shkoi edhe më tej, duke e akuzuar shoqatën se po sillet si forcë politike: “Shoqata e gjyqtarëve publikisht shfaqet si një parti politike me një gjuhë të papranueshme… Jeni parti politike? Regjistrohuni si parti politike, dilni në garë dhe mbroni platformën tuaj.”
Por vetëm një natë më parë, gjyqtarët reaguan me tone po aq të forta, duke e quajtur debatin një “tymnajë populiste” që synon “linçimin e gjyqtarëve” dhe ndezjen e opinionit publik kundër tyre. Sipas shoqatës, nisma e tyre nuk lidhet me rritje pagash, por me mbrojtjen e nenit 138 të Kushtetutës, i cili garanton se “paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen”.
“Ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike dhe mediatike, e cila synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një proces që duhet të zhvillohet vetëm në sallën e gjykimit,” thuhet në reagim.
Përplasja vjen në një moment kur klima në drejtësi mbetet e ndezur dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur ende të japë një vendim dhe po “fshihet” për çështjen Balluku, ndërsa retorika politike duket se po ashpërsohet.
Duke vënë theksin tek shifrat e pagave, Rama prek një nga temat më të ndjeshme për qytetarët — paratë — çka rrezikon të ushqejë më tej mosbesimin dhe zemërimin publik ndaj sistemit të drejtësisë.
Ky përshkallëzim verbal shihet nga shumë si një precedent i rrezikshëm për raportet mes pushteteve, pasi mesazhi që përcillet te publiku mund të thellojë hendekun mes qytetarëve dhe institucioneve që duhet të garantojnë shtetin e së drejtës.






