Kryeministri Edi Rama, teksa udhёtonte me makinё, ka shpërthyer sërish ndaj gjyqtarëve në një video të publikuar sot nё mёngjes në Facebook, duke i akuzuar se po përdorin pushtetin për interesa personale. Reagimi i tij vjen pas seancës dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, ku dy shoqata gjyqtarësh kërkuan rritje pagash.
“Është e papranueshme ideja që këta njerëz mund të përdorin pushtetin e tyre për të ushtruar presion mbi qeverinë, parlamentin dhe pushtetet e tjera për t’ia rritur pagat vetes”, deklaroi Rama, duke paralajmëruar se kërkesa do t’i kushtonte buxhetit të shtetit edhe 37 milionë euro.
Në një nga komentet më të forta, kreu i qeverisë tha se nga ajo që po shihet sot, “gjyqtarët janë vetë zot, vetë shkop”.
Rama kritikoi gjithashtu argumentet e paraqitura nga shoqatat para Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ato lënë shumë për të dëshiruar si nga ana logjike ashtu edhe institucionale. Sipas tij, dëgjimi i regjistrimit të seancës të vendos përballë një shqetësimi real kur mendon se bëhet fjalë për njerëzit që marrin vendime për drejtësinë.
Kryeministri theksoi se pagat e gjyqtarëve në Shqipëri janë tashmë në të njëjtin nivel me ato të Greqisë, ndërsa rezultojnë dyfish më të larta se në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
“Shpresoj që Kushtetuesja të mos ia lërë këtë njollë Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera,” u shpreh Rama, duke lënë të kuptohet se përplasja me sistemin e drejtësisë mund të thellohet edhe më tej. Ndërkohë, nga ana e gjyqtarëve nuk ka ende një reagim publik.






