Rrjetet sociale po kanë një ndikim gjithnjë e më negativ në mirëqenien e të rinjve, paralajmëron edicioni i vitit 2026 i Raportit Botëror të Lumturisë, duke ngritur shqetësimin për një “dëm në nivel popullate”.
Sipas raportit të përgatitur nga Qendra për Kërkime mbi Mirëqenien në Universitetin e Oksfordit, Finlanda renditet për të nëntin vit radhazi si vendi më i lumtur në botë, e ndjekur nga Islanda, Danimarka, Kosta Rika, Suedia dhe Norvegjia. Në të kundërt, vendet me kriza të thella politike dhe sociale, si Afganistani, renditen në fund të listës.
Por përtej renditjes, raporti këtë vit vë theksin te një prirje shqetësuese: rënia e ndjeshme e kënaqësisë nga jeta tek të rinjtë, veçanërisht në vendet perëndimore.
Të dhënat tregojnë se të rinjtë sot janë dukshëm më pak të lumtur krahasuar me 15 vite më parë, një periudhë që përkon me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale. Sipas autorëve, nëse këto platforma nuk do të ekzistonin, shumë përdorues do të ndiheshin më mirë.
Ndikimi negativ shfaqet në forma të ndryshme: nga bullizmi online dhe shantazhi seksual, deri te efektet indirekte si depresioni dhe ankthi. Raporti thekson se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale lidhet drejtpërdrejt me uljen e mirëqenies mendore.
Studimet tregojnë se personat që kalojnë më shumë se shtatë orë në ditë në rrjete sociale kanë nivel dukshëm më të ulët mirëqenieje krahasuar me ata që i përdorin më pak se një orë. Efekti është veçanërisht i fortë tek vajzat, por i dukshëm edhe tek djemtë.
Madje, një pjesë e vetë të rinjve janë të vetëdijshëm për këtë ndikim. Sipas një sondazhi, më shumë se një e treta e të rinjve të moshës 18–27 vjeç do të dëshironin që rrjetet sociale të mos ekzistonin fare.
Megjithatë, raporti nuk sugjeron një ndalim total të tyre. Autorët paralajmërojnë se shkëputja e plotë mund të sjellë edhe humbje të disa përfitimeve që ofrojnë këto platforma. Në vend të kësaj, ata bëjnë thirrje për rregullim më të kujdesshëm dhe të balancuar të mjedisit dixhital.
Me sa duket, rrjetet sociale nuk janë më thjesht një mjet komunikimi, por një faktor që po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe lumturinë e brezit të ri – dhe kjo kërkon vëmendje serioze nga shoqëria, institucionet dhe familjet.
(Burimi: France 24)





