Në Slloveni u mbajt një referendum historik. Qytetarët sllovenë vendosën “kundër” ligjit të miratuar në parlamentin slloven që hapte rrugën për asistim në vetëvrasje.
Referendumi i të dielës ishte i dyti brenda dy viteve mbi këtë çështje të ndjeshme dhe me ndikim të madh etik, ligjor dhe shoqëror.
Parlamenti slloven në korrik të këtij viti miratoi me 50 vota “pro” dhe 34 “kundër” ligjin që lejonte vdekjen e asistuar, një ligj që lejonte personat mbi 18 vjeç, të cilët vuajnë nga sëmundje “pa kthim”, të përfundonin vetë jetën e tyre.
Sipas ligjit, pacientët që plotësojnë procedurën ligjore dhe mjekësore do të kenë të drejtë të marrin substancë për t’i dhënë fund jetës së tyre, pas miratimit nga mjeku personal, një mjek i pavarur dhe një psikiatër. Mjekët dhe personeli shëndetësor ruajnë të drejtën të refuzojnë pjesëmarrjen në këtë proces.
Në vitin 2024, në një referendum këshillues, “vdekjen e asistuar” e mbështetën 55% e votuesve sllovenë, referendum që çoi në miratimin e ligjit në korrik, por menjëherë një grup aktivistësh konservatorë të udhëhequr nga Aleš Primc, i mbështetur nga opozita, grumbulloi mbi 46.000 nënshkrime për të kërkuar refuzimin e ligjit, përsëri përmes referendumit.
Sllovenët dje, para kutisë së votimit iu përgjigjën pyetjes:
A jeni për miratimin e Ligjit për vdekje të asistuar, të miratuar nga Kuvendi i Sllovenisë më 24 korrik 2025?
Që ligji të rrëzohej, duhet të plotësonte dy kushte:
- Më shumë se 50% e votuesve pjesëmarrës të votonin “kundër”;
- Të paktën 20% e të gjithë votuesve që kishin emrat në lista të votonin “kundër”.
Sipas Ministrisë së Brendshme, Sllovenia ka 1.696.025 votues të regjistruar, dhe numri minimal i votave “kundër” për rrëzimin e ligjit është 339.205.
Sipas rezultateve paraprake, rreth 53 për qind e 1.7 milion votuesve sllovenë votuan kundër ligjit që propozonte legalizimin e vdekjes së asistuar.
Me këtë rezultat, zbatimi i ligjit që i jepte të drejtë “vdekjes” do të pezullohet për të paktën një vit.
Menjëherë pas votimit referendar, Aleš Primc, kreu i lëvizjes që u mbështet edhe nga Kisha Katolike bashkë me opozitën konservatore parlamentare sllovene, tha se “solidariteti dhe drejtësia” kishin fituar dhe “Po dëshmojmë një mrekulli. Kultura e jetës ka mposhtur kultin e vdekjes”.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob u kishte kërkuar qytetarëve të mbështesnin ligjin “në mënyrë që secili prej nesh të vendosë vetë se si dhe me çfarë dinjiteti do t’i japë fund jetës sonë”.
Sipas ligjit të kontestuar me referendum, pacientët me sëmundje “pa kthim” do të kishin të drejtën për t’u ndihmuar për të vdekur, nëse vuajtjet e tyre ishin të padurueshme dhe të gjitha opsionet e trajtimit do të ishin shteruar.
Një “leje” tjetër që jepte ligji i miratuar dhe i pezulluar me referendumin e djeshëm ishte gjithashtu “vdekja e asistuar”, nëse të gjitha rrugët dhe mënyrat e trajtimit mjekësor nuk jepnin asnjë perspektivë të arsyeshme për shërim ose përmirësim të gjendjes së pacientit, përveç rasteve kur mund të kërkohej për t’i dhënë fund vuajtjeve të padurueshme të shkaktuara nga sëmundja mendore.
Kisha Katolike në Slloveni luajti një rol të rëndësishëm në këtë referendum popullor. Ajo kundërshtoi “lejimin e vdekjes së asistuar” duke deklaruar se kjo “bie ndesh me themelet e Ungjillit, ligjin natyror dhe dinjitetin njerëzor”.
Sllovenia u bë vendi i parë në Evropën Lindore që legalizoi praktikën e “lejimit të vdekjes së asistuar” me ligj, pas Austrisë, Belgjikës, Holandës dhe Zvicrës, që lejojnë që njerëzit me sëmundje “pa kthim” të marrin ndihmë mjekësore për t’i dhënë fund jetës së tyre. Megjithatë, kjo praktikë mbetet një krim në pjesën dërrmuese të vendeve të tjera të Evropës. Në Parlamentin britanik po debatohet për një ligj të ngjashëm, ndërsa në Francë, në maj të këtij viti, dhoma e ulët e parlamentit të Francës miratoi një projektligj për të drejtën për të vdekur në një “përpjekje” të parë.
Mbështetësit e ligjit në vendet që e kanë miratuar atë argumentojnë fort se asistimi në vetëvrasje për të sëmurët “pa kthim” garanton dinjitet dhe liri zgjedhjeje për pacientët në fund të jetës së tyre, ndërsa kundërshtarët si në rastin e Sllovenisë kërkojnë që jeta në çdo fazë të saj të mbrohet nga parimet kushtetuese aq sa edhe hyjnore njëlloj.






