Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim serioz për efektivitetin e sistemit të luftës kundër korrupsionit në Ukrainë, pas një rasti që ka tronditur Kievin dhe Brukselin. Tetiana Krupa, shefe e një komisioni rajonal për personat me aftësi të kufizuara në Ukrainën perëndimore, rezultoi të kishte deklaruar pasuri me vlerë simbolike, ndërsa gjatë një bastisjeje policore u gjetën rreth 6 milionë dollarë cash të fshehura në shtёpinё e saj.
Në dokumentet zyrtare të paraqitura nga Krupa, ajo ishte regjistruar si pronare e një shtëpie me vlerë vetëm 65 euro, si dhe disa parcelave toke të deklaruara me çmime minimaliste. Në total, familja e saj kishte deklaruar 64 prona, të cilat u konsideruan të rregullta nga Agjencia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit (NACP).
Megjithatë, bastisja e autoriteteve zbuloi njё realitet krejt tjetër: shuma kolosale në para të fshehura në dollapë dhe hapësira të tjera të shtëpisë, duke hapur dyshime për pasuri me origjinë kriminale dhe fshehje sistematike pasurie.
Skandali ka futur Ukrainën në vorbull presioni ndërkombëtar dhe kërkesash për transparencë. Komisioni Evropian tani kërkon mbikëqyrje më të rreptë, kontrolle më të thelluara mbi deklarimin e pasurisë dhe përfundimin e menjëhershëm të auditimit të detyrueshëm ndërkombëtar për NACP.
Rasti Krupa vjen në një periudhë tensioni të lartë politik. Javёn e fundit vendi është tronditur edhe nga kontrolli i kryer në banesën e shefit të kabinetit të Presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, i cili përfundoi me dorëheqjen e tij. Paralelisht, reforma për zgjerimin e detyrimit të deklarimit të pasurisë për këshilltarët dhe stafin mbështetës të zyrtarëve të lartë është bllokuar në Parlament.
Sipas analistëve dhe ekspertëve të NACP, këto zhvillime thellojnë krizën e besimit publik dhe komplikojnë përpjekjet e Ukrainës për të përmbushur standardet europiane – të domosdoshme në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
(Burimi HuffPost)






