Aktorja e njohur Renee Zellweger, 56 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e publikut për një ndryshim të dukshëm në pamjen e saj, pasi buzët duken më të holla se më parë. Ndryshimi u vu re gjatë prezantimit në Londër të skenave të reja të filmit “Bridget Jones”, ku aktorja u shfaq me një grim të lehtë dhe flokë bjonde të kapura lart. Teksa buzëqeshi para kamerave, fansat vërejtën se buzët e saj, dikur të njohura për pamjen e tyre të fryrë në stilin “të pickuara nga bleta”, tani dukeshin dukshëm më të vogla.
Ekspertë të kirurgjisë estetike kanë komentuar mbi transformimin e saj. Kirurgu plastik nga Beverly Hills, Dr. Kahn, tha për Daily Mail se pamja e re e aktores duket natyrale dhe është rezultat i procesit të plakjes. “Fytyra e saj duket ndryshe në këto foto, por ka shumë të ngjarë të jetë plotësisht natyrale. Ajo po plaket dhe humbet kolagjenin, gjë që mund t’i bëjë tiparet të duken më të holla. Në përgjithësi, ajo duket fantastike për një grua në të pesëdhjetat dhe është mirë të shohësh një fytyrë natyrale,” u shpreh ai.
Edhe kirurgu plastik Dr. Mark Solomos, i njohur nga programet televizive “10 Years Younger”, “My Big Boobs” dhe “Price of Perfection”, u shpreh se Zellweger duket shumë mirë. Sipas tij, ndryshimi i dukshëm në fytyrën e aktores lidhet kryesisht me humbjen e peshës dhe me faktin që ndër vite fytyra bëhet më e hollë. Ai shtoi se ka të ngjarë që ajo të ketë kryer një blefaroplastikë (ngritje të qepallave), pasi sytë i duken më të hapur, dhe ndoshta një trajtim me lazer për shtrëngim të lëkurës. Megjithatë, ai beson se nuk ka bërë ndërhyrje të rënda estetike.
“Si shumica në Hollywood, ajo me shumë gjasa ndjek një stil jetese të shëndetshëm, me dietë të rregullt, ushtrime fizike dhe një rutinë të kujdesit të lëkurës shumë të mirë. Ajo duket e lumtur dhe kjo reflektohet edhe në pamjen e saj,” tha ai.
Pamja e Zellweger ka pësuar ndryshime gjatë viteve, shpesh duke shkaktuar debat mes fansave, por aktorja rrallë ka reaguar ndaj komenteve dhe ka preferuar të fokusohet tek karriera e saj. Ajo vazhdon të jetë në kulmin e suksesit, me rolin e saj në vazhdimin e filmit “Bridget Jones: Mad About the Boy”, si dhe në serialin “Only Murders in the Building”, ku luan krah Selena Gomez, Martin Short dhe Steve Martin.

(Burimi: Daily Mail)






