Ngjarja e rëndë që ka përfshirë dje vëmendjen e gjithë opinionit publik, është fiksuar nga kamerat e shumta që e kanë fiksuar atë. Njëra prej tyre tregon qartë se si ka ndodhur krimi.
Një automjet me 4 vrasës brenda, tre prej tyre të gatshëm me kallashnikovë, presin në hyrje të aeroportit. Targeti? Një Benz i bardhë sportiv, ku brenda tij gjendej preja e tyre, Gilmando Dani dhe shoqëruesi i tij “Muç Sheqeri”. Të dy personazhe të botës së krimit.
Atentatorët dalin të maskuar në rrethrrotullim, sapo automjeti i bardhë afrohet dhe shprazin njëkohësisht me breshëri 3 automatikë “Kallashnikov”. Sheshi i “betejës” pastrohet për pak sekonda nga lëvizjet, mjeti Benz Mercedes ndalon i përplasur diku në bordurë, ndërsa një nga autorët me hezitim afrohet dhe qëllon përsëri nga fare pranë pasagjerin – Gilmando Dani.
Veprimet e ekzekutorit kryesor dallohen që janë të alarmuara, pasi pengohet, ndërron armën me vrasësin që e pret dhe rrëzohet në pjesën e kthimit për në mjetin “Toyota Yaris”. Toyota e krimit largohet me shpejtësi drejt fshatit të zhdukjes së gjurmëve. Ajo gjendet e djegur në një fshat (Halil), disa kilometra pranë Rinasit në aksin për Fushë-Krujë.
Vrasja flet qartë: ajo zhvesh lakuriq sigurinë publike në Shqipëri.






