Popullsia e moshës së tretë në Korenë e Jugut po rritet me shpejtësi dhe vendi po përballet me mungesë të madhe të kujdesit social. Shumë të moshuar jetojnë vetëm, të distancuar nga familjet e tyre dhe në kushte të theksuara izolimi, gjë që ka sjellë rrezik serioz për shëndetin e tyre mendor. “Është një krizë e vërtetë”, tha për CNN Othelia E. Lee, profesoreshë e punës sociale në Universitetin e Karolinës së Veriut në Charlotte, e cila ka studiuar këtë fenomen. Sot, në Korenë e Jugut jetojnë mbi 10 milionë njerëz mbi 65 vjeç, rreth një e pesta e popullsisë totale. “Ndryshimi ndodhi aq shpejt sa qeveria nuk pati kohë të ngrinte një sistem të plotë pensionesh dhe mbështetjeje sociale,” shpjegon ajo.
Ndërsa sistemi publik i shëndetësisë përpiqet të përballojë këtë transformim, qeveria është drejtuar te teknologjia si mënyrë për të përballuar mungesën e kujdestarëve. Një nga iniciativat më të veçanta është Hyodol, një robot-kukull me inteligjencë artificiale i krijuar për të ndihmuar të moshuarit që jetojnë vetëm. Roboti lidhet me një aplikacion celular dhe një platformë monitorimi për familjarët dhe punonjësit socialë. Duket si një kukull prej pambuku, me veshje të ngjashme me ato të fëmijëve, sy të mëdhenj e të qeshur dhe një zë të butë që flet me tonin e një shtatëvjeçari. Reagon ndaj prekjes, kujton oraret e ilaçeve, jep sinjalizime emergjence, luan muzikë dhe tё orienton tё bёsh ushtrime qё vёnё nё lёvizje trurin. Kur i zoti kthehet në shtëpi, ai e përshëndet duke thënë: “Gjyshe/Gjysh, të kam pritur gjithë ditën.”
Sipas CEO-së së kompanisë Hyodol, Jihee Kim, dizenjimi si “i ëmbël dhe i ngushëllueshëm” ndihmon shumë të moshuar të krijojnë marrëdhënie emocionale me robotin dhe e bën më të lehtë përdorimin e teknologjisë, sidomos për ata që nuk janë të mësuar me pajisje moderne. Deri në nëntor 2025, mbi 12,000 robotë Hyodol janë shpërndarë në të gjithë vendin përmes programeve të mirëqenies sociale, ndërsa rreth 1,000 të tjerë janë blerë nga familjet, me një çmim prej rreth 879 dollarësh për modelin më të fundit.
Studimet e kryera në vitin 2024 nga profesoresha Lee tregojnë se përdorimi i robotit lidhet me përmirësime të dukshme të mirëqenies emocionale dhe aftësive njohëse te përdoruesit. Të moshuar që e përdorën rregullisht gjatë gjashtë javëve raportuan më pak simptoma depresive dhe një pjesë e tyre madje arritën të shtynin nevojën për të kaluar në qendra kujdesi. Disa përdorues u lidhën aq shumë me robotët, sa u vunë nofka, u blenë rroba dhe i mbanin pranë gjatë gjumit.
Megjithatë, përdorimi i robotëve shoqërues ka hapur edhe debat etik. Ekspertë dhe familjarë kanë ngritur shqetësime se robotët mund të shkaktojnë varësi emocionale ose të perceptohen si zëvendësim i kujdesit njerëzor. “Hyodol nuk është për të gjithë,” pranon Kim, duke shtuar se ai duhet të shërbejë vetëm si mbështetje, jo si zëvendësim i kontakteve njerëzore. Sipas saj, përdoruesit më entuziastë janë kryesisht persona mbi 82 vjeç, ndërsa të moshuarit më aktivë e shohin pajisjen si ndërhyrje të bezdisshme.
Konteksti social që e ka nxitur këtë inovacion është i gjerë. Ndryshimet e shpejta ekonomike kanë thyer strukturat tradicionale familjare, dhe sot një në tre të moshuar jeton vetëm, shpesh pa mbështetje ekonomike ose shoqërore. Kjo rrit rrezikun për probleme të rënda emocionale dhe vështirësi të thella sociale. Fenomeni nuk është i kufizuar vetëm në Korenë e Jugut; vende të tjera të Azisë Lindore, si Japonia dhe Hong Kongu, përballen me sfida të ngjashme.
Në këtë sfond, teknologjia po shihet si një nga mjetet kryesore për të përballuar krizën e kujdesit për të moshuarit. Tregu global për robotët shoqërues pritet të arrijë 7.7 miliardë dollarë deri në vitin 2030, sipas vlerësimeve të industrisë.
(Pёrshtatur nga CNN)






