Rina Oh ishte vetëm 21 vjeçe dhe ëndërronte të bëhej artiste, kur thotë se u josh gradualisht drejt asaj që më vonë do ta kuptonte si ishte rrjeti i abuzimit seksual të Jeffrey Epstein. Një çerek shekulli më vonë, ndërsa Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar mijëra faqe dokumentesh të reja mbi çështjen Epstein, ajo thotë se është gati të ngrerё sёrish zërin dhe të tregojë historinë e saj ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë.
Në një intervistë për The Sun, Oh rrëfen se gjithçka nisi me një premtim që dukej shpëtimtar: një bursë për të përfunduar studimet e artit në një institucion prestigjioz. Epstein, sipas saj, u prezantua si filantrop, koleksionist arti dhe mbështetës i talenteve të reja. “Do të paguaj shkollën tënde, do të diplomohesh me një diplomë katërvjeçare dhe nuk do të ketë asnjë kusht,” i kishte thënë ai.
Por shumë shpejt, ajo kuptoi se pas kësaj oferte fshihej diçka tjetër. Oh shpjegon se brenda rrethit të Epstein ekzistonte një “protokoll” i heshtur: kushdo që hynte në botën e tij, përfundonte në dhomën e famshme të masazheve. “Kjo ishte pjesë e rutinës. Ishte diçka që ndodhte me pothuajse të gjitha,” thotë ajo, duke shtuar se vetëm më vonë e kuptoi sa i madh dhe i frikshëm ishte numri i viktimave.

Si artiste, Oh thotë se kishte një ndjeshmëri të veçantë për detajet. Ajo vëzhgonte librat në tavolinat e tij, bisedat telefonike, shprehjet e fytyrës dhe mënyrën se si Epstein sillte njerëzit rreth vetes. “Nuk mendoj se shumica e vajzave i vinin re këto gjëra,” thotë ajo, duke sugjeruar se kishte shenja paralajmëruese që në fillim.
Ajo pranon se për vite me radhë nuk e quajti atë që i ndodhi “abuzim seksual”. “E fajësova veten. Mendova se ishte faji im,” thotë Oh. Ndjesia e parë ishte vetëm parehati: diçka nuk shkonte, por ajo nuk arrinte ta emërtonte.
Kur ajo refuzonte të takohej me Epstein ose të “bindej”, ai reagonte menjëherë. Sipas saj, bursa iu hoq pa paralajmërim. “Më tha: ‘Nuk po sillesh siç duhet, prandaj po ta heq’,” rrëfen ajo. Më pas, Epstein tentoi mënyra të tjera për ta mbajtur të lidhur: i ofroi pagesa për piktura, projekte artistike dhe madje edhe një punë, ku rroga e saj do të paguhej përmes një donacioni të tij në një organizatë bamirësie. “Ishte sikur po përpiqej të më blinte,” thotë ajo.
Oh këmbëngul se nuk ishte ajo që e kërkonte Epsteinin, por e kundërta. Ajo thotë se nuk e telefonoi kurrë për t’u takuar, ndërsa ai vazhdimisht përpiqej ta rikthente në orbitën e tij. Kur ajo më në fund arriti të ndërtonte një jetë profesionale të pavarur në fushën e modës dhe marrëdhënieve me publikun, Epstein – sipas saj – u shfaq sërish, duke kërkuar ftesa në sfilata dhe evente mode.
Në vitet 2018–2019, teksa rasti Epstein rikthehej në qendër të vëmendjes dhe drejtësia amerikane vihej nën presion për mënyrën si ishte trajtuar çështja më parë, Oh vendosi të fliste publikisht. Ajo thotë se e bëri këtë për të ndihmuar viktima të tjera, por çmimi ishte i rëndë: humbja e anonimitetit, kërcënime dhe sulme online.
Një kapitull i veçantë i kësaj historie është përplasja e saj me Virginia Giuffre, një nga akuzueset më të njohura të Epstein. Oh pretendon se Giuffre e ka portretizuar në mënyrë të rreme në një libër të papublikuar, duke e paraqitur si pjesë të rrjetit, gjë që e detyroi të ngrinte padi për shpifje për të provuar se ishte viktimë, jo bashkëpunëtore. Proceset ligjore vazhdojnë edhe pas vdekjes së Giuffre, pasi Oh po ndjek çështjen kundër pasurisë së saj ligjore.
Tani, me publikimin e mbi 300 mijë dokumenteve dhe materialeve zyrtare nga autoritetet amerikane, Oh beson se mozaiku i dëshmive po bëhet më i qartë. Ajo paralajmëron se nuk duhet pritur një “listë klientësh”, pasi sipas saj ky rrjet funksiononte në mënyrë të fshehtë dhe pa dokumente të drejtpërdrejta. “Çdo dëshmi është një copë e enigmës,” thotë ajo.
Rina Oh ka njoftuar se në vitin 2026 do të publikojë librin e saj, ku do të tregojë historinë e plotë nga këndvështrimi i saj, me synimin për të pastruar emrin, për të mbrojtur fëmijët e saj dhe për të dëshmuar se ajo ishte një tjetër viktimë e perandorisë së errët të Jeffrey Epstein.

(Burimi: The Sun)






