Nga kontrasT.al
Nё 11 dhjetor kur tё gjithё sytё, prozhektorёt dhe vёmendja ishte tek zgjedhja e drejtuesit tё ri tё SPAK, nё Gjykatёn e Lartё u bё njё mbledhje me peshё mё tё rёndёsishme se sa mbledhja qё po zhvillonte KLP (Kёshilli i Lartё i Prokurorisё) pёr zёvendёsuesin e Dumanit. U mblodh KED (Kёshilli i Emёrimeve nё Drejtёsi) pёr tё ndryshuar disa rregulla qё pёrcaktojnё tё ardhmen e balancave nё Gjykatёn Kushtetuese.
Në Fletoren Zyrtare të datёs 15 dhjetor 2025, u botua një vendim me peshë të drejtpërdrejtë kushtetuese. Bëhet fjalë për Vendimin nr. 35, datë 11.12.2025, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për disa ndryshime në rregulloren që përcakton procedurën e verifikimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Një akt që, ndonëse teknik në formë, prodhon pasoja thelbësore në balancën e pushteteve dhe në mënyrën se si filtrohen emrat që do të ulen në karriget më të rëndësishme të drejtësisë kushtetuese.
Vendimi mban firmat e KED-it të vitit 2025, me kryetar Sokol Sadushin dhe anëtarë Ilir Toska, Marjana Semini, Fuat Vjerdha, Etien Kapo, Enkela Vlora, Genti Xholi, Alma Muça dhe Nafije Hasko. Një KED që, faktikisht, ishte në ditët e tij të fundit të funksionimit. Mandati i këtij Këshilli përfundon më 31 dhjetor 2025. Më herët, më 3 dhjetor 2025, shorti për përbërjen e KED-it të vitit 2026 ishte hedhur dhe kishte prodhuar një realitet të ri institucional: Sokol Sadushi nuk do ta drejtojë më KED-in e ardhshëm, i cili do të kryesohet nga Ilir Panda, si anëtar i Gjykatës së Lartë i përzgjedhur me short.
Në këtë kontekst kohor, ku tranzicioni institucional ishte i ditur dhe i formalizuar, vendimi i datës 11 dhjetor 2025 merr një kuptim të veçantë. Një Këshill me ditët e numëruara vendos të ndërhyjë në rregullat e lojës, duke ndryshuar pikërisht mekanizmin e vendimmarrjes së brendshme për verifikimin e kandidatëve.
Ndryshimi më domethënës është ai i pikës 44 të Vendimit nr. 4, të vitit 2019. Deri në këtë moment, rregulli ishte i qartë: në rast barazie votash në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, kandidimi konsiderohej i lejuar. Pra, dyshimi interpretohej në favor të kandidatit, duke shmangur bllokimin ose filtrimin arbitrar përmes një vote individuale. Ky parashikim ishte në përputhje me parimin kushtetues të aksesit të barabartë në funksionet publike dhe me idenë se KED nuk është organ përzgjedhës vendimmarrёs e aq mё pak politik, por filtër tekniko- ligjor.
Me vendimin e ri, ky parim përmbyset rrënjësisht. Tashmë, në rast barazie votash, vendimtare është vota e Kryetarit të KED-it. Me një fjali të vetme, fuqia për të dhënë ose për të bllokuar “dritën jeshile” për një kandidat për Gjykatën Kushtetuese apo për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë përqendrohet në një individ të vetëm. Juridikisht, kjo do të thotë se barazia e votave nuk është më një mekanizëm neutralizues, por një situatë që aktivizon pushtetin vendimmarrës personal të kryetarit.
Në praktikë, ky ndryshim e zhvendos KED-in nga një organ kolegjial drejt një strukture ku pesha reale e vendimmarrjes përqendrohet në krye. Dhe kjo ndodh pikërisht në një periudhë kur priten përplasje të forta interesi për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Nuk bëhet fjalë për një rregull abstrakt, por për një instrument konkret që ndikon drejtpërdrejt në fatin e kandidatëve.
Fakti që ky ndryshim u miratua nga një KED në largim, pasi ishte e qartë se drejtimi i Këshillit do të ndryshonte në vitin pasardhës, e bën vendimin edhe më problematik nga pikëpamja e etikës institucionale. Nuk është e ndaluar ligjërisht, por është thellësisht e diskutueshme në aspektin e frymës së reformës në drejtësi, e cila synonte të kufizonte pikërisht personalizimin e vendimmarrjes.
Ky zhvillim nuk mund të shihet i shkëputur nga realiteti aktual i vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Aktualisht, ka të paktën dy vende vakante në proces plotësimi. Një prej tyre lidhet me përfundimin e parakohshëm të mandatit të gjyqtares Elsa Toska, për të cilin Kuvendi ka rihapur procedurën e aplikimit për një mandat të plotë 9-vjeçar. Vetë Kuvendi, përmes vendimeve të tij, ka pranuar se procedura e mëparshme u pezullua dhe se gara duhet rihapur. Kjo tregon se beteja për këtë vend është reale dhe e ashpër.
Një tjetër vakancë lidhet me përfundimin e mandatit të Sonila Bejtjas, fakt tashmë i konstatuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra, në horizont janë emërime me ndikim afatgjatë, që do të përcaktojnë ekuilibrat e Gjykatës Kushtetuese për vite me radhë. Ndaj dhe ndryshimi i rregullave të votimit brenda KED-it nuk është as neutral dhe as i parëndësishëm.
Kur rregullat ndryshohen në fund të mandatit (15 ditё para pёrfundimit), kur pesha e votës përqёndrohet te kryetari dhe kur përpara janë emërime të nxehta kushtetuese, lind natyrshёm pyetja: a kemi të bëjmë me një rregullim teknik, apo me një ndërhyrje të qëllimshme për të ndikuar në filtrin dhe “kapjen” e kandidatëve qё do jenё trupa e ardhshme kushtetuese?
Në këtë rast, një fjali e shtuar në një rregullore ka potencialin të ndryshojë fatin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është arsyeja pse ky vendim nuk mund të kalojë si një akt rutinë i botuar në heshtje në Fletoren Zyrtare. Sepse pas tij, nuk fshihet thjesht një procedurë, por një raport force qё ёshtё tentuar qё me zgjedhjen e Asim Vokshit, tё anohet nga ana e Gjykatёs sё Lartё, habitat ku dominon vetё Sokol Sadushi.


© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






