Nuk është hera e parë që grekët “damkosin” me non grata gazetarët shqiptarë apo figura të njohura publike.
Marin Mema, gazetar i televizionit Top Channel, është shpallur shumë vite më parë si i padëshiruar (“non grata”) nga autoritetet greke. Ata e quajtën Memën si element që përbën rrezik kombëtar për shtetin grek. E njëjta edhe për Tahir Veliun, autor i librit “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”.
Autoritetet e Republikës së Greqisë kanë shpallur ditën e djeshme me statusin “non grata” gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e cilësuar “të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik, duke e ndaluar përjetësisht të mos shkelë në territorin grek.
Hoxha ka qenë ditën e djeshme duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës, kur është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit të Kakavijës.
Në sportelin e kontrollit të pasaportave, gazetarit Hoxha i është komunikuar se ai nuk mund të hyjë në territorin grek, pasi përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të shtetit helen.
Pasi i është marrë pasaporta, ai është mbajtur për rreth një orë në policinë greke të kufirit. Rreth orës 10:30, me orën lokale, i është dorëzuar vendimi zyrtar që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar.
Në dokumentin zyrtar thuhet se është karakterizuar si person i padëshirueshëm; dhe se konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.
Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek.
Sipas autoriteteve greke, vendimi është marrë në fillim të vitit 2024, në periudhën e fushatës për zgjedhjet në Parlamentin Europian, kur në listën e partisë Nea Dimokratia të kryeministrit Mitsotakis kandidonte Fredi Beleri, me shtetësi të dyfishtë.
Gazetari Hoxha ka denoncuar publikisht aktivitetin e Belerit në Masakrën e Peshkëpisë (1994), ku mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë, si dhe në investigime të botuara në media greke dhe shqiptare gjatë fushatës elektorale të BE-së. Për këto denoncime, ai është përballur edhe me procese gjyqësore në Gjykatën Penale të Tiranës gjatë viteve 2023–2024.
Në fund, historia duket të jetë e njëjtë: kush flet, shpesh paguan çmimin. Ashtu si dikur Mema dhe Veliu, sot edhe Artan Hoxha mban vulën e një ndalese që e ndjek përjetë. Një kryq i hedhur me stilolaps mbi një pasaportë dhe një kufi që mbyllet përballë syve. Një rrugë e nisur drejt Janinës që ndalet papritur në mes të heshtjes së sportelit kufitar.






