Çmimet globale të ushqimeve u rritën me 2.4% gjatë muajit mars, krahasuar me muajin e mëparshëm, të nxitura kryesisht nga rritja e kostove të energjisë si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (Food and Agriculture Organization – FAO), kjo është rritja e dytë mujore radhazi, me çmime që janë rritur në të gjitha grupet kryesore të produkteve, përfshirë drithërat, mishin, bulmetin, vajrat bimore dhe sheqerin.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve të FAO-s rezultoi gjithashtu 1% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Çmimet e drithërave u rritën me 1.5% në baza mujore, ndërsa ato të vajrave bimore shënuan rritjen më të fortë me 5.1%, duke regjistruar muajin e tretë radhazi në rritje dhe një nivel 13.2% më të lartë se një vit më parë. FAO thekson se çmimet ndërkombëtare të vajit të palmës kanë arritur nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2022, të ndikuara nga rritja e fortë e çmimit të naftës.
Edhe çmimi i mishit u rrit me 1% krahasuar me shkurtin dhe ёshtё 8% më i lartё në baza vjetore, ndërsa bulmeti shënoi një rritje mujore prej 1.2%, megjithëse mbetet ndjeshëm më i ulët krahasuar me marsin e vitit 2025.
Rritje ka shënuar edhe sheqeri, i ndikuar nga pritshmëritë se Brazili – eksportuesi më i madh në botë – do të përdorë më shumë kallam sheqeri për prodhimin e etanolit për shkak të çmimeve të larta të naftës. FAO thekson gjithashtu se tensionet në Lindjen e Mesme po krijojnë pasiguri në tregtinë globale të sheqerit, duke shtuar presionin mbi çmimet.
Në tërësi, raporti konfirmon se zhvillimet gjeopolitike dhe rritja e kostove të energjisë po reflektohen drejtpërdrejt në tregjet ushqimore, duke shtuar presionin mbi çmimet në nivel global.





