Vdekja e aktorit të njohur të serialit “Friends”, Matthew Perry, është zbardhur përfundimisht. Hetimet tregojnë se ai humbi jetën për shkak të një mbidoze ketamine, të furnizuar në mënyrë të pakontrolluar nga mjeku i tij personal dhe asistenti. Përveç tyre, akuzat rëndojnë edhe mbi katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti të nëndheshëm të drogës në Hollywood.
Dr. Salvador Plasencia, një nga pesë të akuzuarit kryesorë, ishte në qendër të një hetimi federal shumëvjeçar që shqyrtoi mënyrën se si Perry siguronte ketaminën. Aktori, 54 vjeç, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles në vitin 2023, pas shumё vite lufte me depresionin dhe varësinë ndaj substancave.
Familja e aktorit kërkoi dënim të rëndë për Plasencia-n, të cilin e përshkroi si “më fajtorin” për vdekjen e Perry-t. Në sallën e gjyqit, nëna e tij, Suzanne Morrison, solli në vëmendje mesazhe të zbuluara nga hetimi, ku mjeku e quante Perry-n “idiot” dhe shprehte interes vetëm për pagesat që mund të merrte nga ai. “Matthew nuk kishte asgjë idiote,” tha ajo me emocion. “Ti kishe bërë betim të mbroje njerëzit. Duhej ta kishe mbrojtur djalin tim.”
Para dënimit, Plasencia foli i penduar, ndërsa nëna e tij qante pas tij në sallë. Ai theksoi se ka një djalë dy vjeçar dhe se tani mendon se si do t’ia shpjegojë veprimet e tij. “E zhgënjeva veten. Nuk ka justifikim. Duhej ta kisha mbrojtur Matthew-n. Më vjen shumë keq,” tha ai.
Përveç burgut, gjyqtarja e Distriktit, Sherilyn Peace Garnett, e dënoi mjekun nga Santa Monica me një gjobë prej 5,600 dollarësh. Pas shpalljes së vendimit, ai u dёrgua menjëherë në paraburgimin federal. Plasencia u deklarua fajtor për katër akuza për shpërndarje ketamine, akuza që mund t’i sillnin deri në 40 vjet burg. Prokurorët kërkuan tre vite.
Katër të akuzuarit e tjerë — mes tyre një mjek tjetër, asistenti personal i Perry-t, dhe dy persona që dyshohet se i dhanë dozën fatale — kanë pranuar fajësinë dhe pritet të dënohen së shpejti.
Matthew Perry, i njohur botërisht për rolin e Chandler Bing, kishte folur hapur për betejat e tij me depresionin dhe varësinë. Përpara vendimit, familja iu drejtua gjykatës me disa letra, pёr tё ndikuar nё vendimmarrje, njё procedurё e lejueshme nё procese tё tilla. Babai dhe njerka e tij shkruanin: “Shërimi i Matthew-it varej nga fakti që ti do të thoshe “JO”. Motivet e tua? Të pakuptueshme. Si mund një mjek, i dedikuar ndihmës së të tjerëve, të vepronte kështu?”
Ata e përshkruan humbjen si shkatërruese për familjen, duke thënë se “patriarku i ardhshëm” i tyre ishte zhdukur. Plasencia u quajt “çakall”, që kishte shkelur betimin e Hipokratit për interes financiarё.
Nëna dhe njerku i Perry-t treguan se aktori po përpiqej me ngulm të rikthehej, duke punuar drejt një “akti të tretë” në jetën dhe karrierën e tij. “Ai donte, kishte nevojë, meritonte… një akt të tretë. Ishte duke e planifikuar. Pastaj, erdhën këta çakallë,” thanë ata.
Në një letër drejtuar gjykatës muajin e kaluar, Plasencia kërkoi falje, duke pranuar se e kishte tunduar oferta e “shumave të mëdha të parave”, ndërsa klinika e tij po kalonte vështirësi. Ai deklaroi se kishte hequr dorë nga liҫenca mjekësore dhe nga profesioni pas arrestimit.
Aktorit i përshkruhej ligjërisht ketaminë për trajtimin e depresionit, por sipas hetimeve, ai kërkonte gjithnjë e më shumë, çka e çoi drejt mjekëve të tjerë dhe një furnizueseje të njohur në Hollywood si “Mbretëresha e Ketaminës”. Shtëpia e saj në Los Angeles përshkruhej si një “perandori droge”.
Prokurorët thonë se Plasencia — i quajtur “Dr. P” — i jepte ketaminë Perry-t në shtëpinë e tij dhe madje në parkingun e një akuariumi në Long Beach. Ai i mësoi asistentit personal të Perry-t, Kenneth Iwamasa, se si t’ia jepte vetë dozën, duke u shitur shishe dhe pajisje shtesë.
Vetëm midis 30 shtatorit dhe 12 tetorit 2023, Plasencia shiti 20 shishe ketamine 5 ml (100 mg/ml), tableta ketamine dhe shiringa për Perry-n dhe asistentin e tij. Sipas prokurorëve, të akuzuarit “përfituan nga varësia e Perry-t për t’u pasuruar”.
(Burimi: BBC)






