Njerëzit rezultojnë të jenë më monogamë se shumica e të afërmve tanë primatë — por jo aq monogamë sa kastorët. Këtë e sugjeron një studim i ri i Universitetit të Kembrixhit, i cili ka krahasuar mënyrat e çiftëzimit tek njerëzit dhe tek disa specie të tjera të gjitarëve.
Shkencëtarët analizuan përqindjen e vëllezërve e motrave që ndajnë të dy prindërit (pra, fëmijët me tё dy prindёrit e njёjtё) në krahasim me gjysmë-vëllezërit, duke argumentuar se sa më monogame të jenë shoqëritë, aq më e lartë është kjo përqindje. Për të ndërtuar një panoramë të gjerë, ata përdorën të dhëna gjenetike nga studime arkeologjike, si dhe informacione etnografike nga 94 shoqëri njerëzore.
Rezultatet, të publikuara në “Proceedings of the Royal Society B”, treguan se kastorët kryesonin me një “indeks monogamie” prej 72%. Njerëzit u renditën menjëherë pas tyre, me 66%. Këto specie formojnë atë që studiuesit e quajtën “liga elitare e monogamisë”. Në anën e kundërt, delfinët dhe shimpanzetë shënuan vetëm 4%, ndërsa gorillat malore 6%.
Mark Dyble, antropolog evolucionar dhe udhëheqës i ekipit, tha për CNN se nuk e habiti fakti që njerëzit radhiten pranë mamiferëve të tjerë monogamë, por më shumë diferenca e theksuar me speciet jo-monogame. “Edhe shoqëritë njerëzore më pak monogame kishin përqindje më të larta se mamiferi jo-monogam me rezultatin më të lartë,” u shpreh ai.
Studimi forcon idenë se monogamia — sado relative apo e ndryshueshme mes kulturave — ka luajtur një rol të rëndësishëm në mënyrën si njerëzit krijojnë bashkëpunim shoqëror dhe organizim komunitar. Sipas Isabel Smallegange, biologe në Universitetin e Newcastle, studimi “përdor një metodë të zgjuar” dhe përcjell një mesazh të qartë: njerëzit janë dukshëm më monogamë se shumica e primatëve të afërt me ne.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se suksesi shoqëror i njerëzimit nuk vjen vetëm prej monogamisë, por është rezultat i një kombinimi lidhjesh afektive, rrjeteve familjare dhe institucioneve kulturore që e mbështesin strukturën e shoqërisë.
(Pёrshtatur nё shqip nga CNN)






