Hapet sipari i edicionit 2026 të Festivalit të Sanremos, tempullit të muzikës italiane, mes emocioneve, rikthimeve simbolike dhe momenteve që shkuan përtej spektaklit. Mbrëmja nisi me zërin legjendar të Pippo Baudos, prezantimin e Carlo Contit, ëndrrën e realizuar të Laura Pausinit dhe përqafimin simbolik mes “Sandokanit” modern Can Yaman dhe atij historik, Kabir Bedi.
Mes të ftuarve që lanë gjurmë ishte edhe këngëtari shqiptar Ermal Meta, i cili solli në skenë një moment të thellë dhe prekës, duke i kushtuar një ninullë fëmijëve të vrarë në Gaza. Me këngën “Stella Stellina”, Meta zgjodhi të mos këndojë vetëm, por të japë një mesazh të fortë për pafajësinë e humbur.
Në xhaketën e tij, të qepur me dorë, ishte emri “Amal” – simbol i një vajze të vogël nga Gaza. Sipas vetë artistit, çdo mbrëmje do të jetë një emër i ndryshëm, për të përfaqësuar “bijat e askujt, bijat e të gjithëve”. Në rrjetet sociale, Meta shpjegoi se protagonistja e “Stella Stellina” është një vajzë pa emër, por ndoshta me të gjithë emrat: “Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind… kujt i intereson, ndoshta asgjë, ndoshta gjithçka”.
Performanca e tij u prit me heshtje të thellë dhe duartrokitje të gjata nga publiku në sallë. Në fund, prezantuesi Carlo Conti, teksa i dorëzoi buqetën tradicionale me lule, theksoi: “Lulet le të jenë vetëm për festë dhe jo mbi varret e fëmijëve që nuk kanë të bëjnë fare me marrëzitë e burrave”.
Një moment që i dha Sanremos jo vetëm muzikë, por edhe ndërgjegje.

(Burimi: ANSA)






