Shfaqja eksperimentale “Seks i mirë” i lejon spektatorёve të ndiqet nga afër procesi, ndërsa pёr aktorёt ёshtё një sfidë e pazakontë.
Si është të luash një skenë intime me një partner që nuk e njeh, në një shfaqje që nuk e ke lexuar kurrë dhe ku çdo fjalë të diktohet në vesh? Kjo është sfida e jashtëzakonshme që aktorët Carla Gugino dhe Arian Moayed përjetuan në premierën amerikane të shfaqjes eksperimentale “Good Sex”, në kuadër të festivalit të ri të arteve Powerhouse: International, në Brooklyn.
Të dy aktorët, të njohur për eksperiencën e tyre në teatër dhe ekran, u ngjitën në skenë pa ditur asgjë paraprakisht: as personazhet, as fabulën dhe as tekstin, i cili u përcillej në kohë reale përmes kufjeve. Edhe udhëzimet skenike jepeshin në të njëjtën mënyrë: “Shikoje.” “Ulu në divan.” “Dhe… putheni.”
“Po i dorëzohesha me shumë besim,” tha Moayed para se të hynte në skenë. “Nuk e di çfarë do të dalë nga goja ime.”
Në shfaqje, dy aktorët interpretonin njё ҫift ish tё dashuruarish që ribashkohen në apartamentin e dikurshëm, duke rindjekur intimitetin e së kaluarës dhe tundimin për t’u rikthyer së bashku. Një personazh i tretë — koordinatorja e intimitetit, luajtur nga Liv O’Donoghue — i udhëheq me humor dhe energji, duke u sugjeruar teknika, që nga vendosja e duarve deri te lëvizjet trupore: “Mendoni veten si një oktapod!”
Një eksperiment i guximshëm teatror
Kjo shfaqje është krijuar nga kompania teatrore Dead Center me seli në Dublin, e cila e ka prezantuar në Irlandë, Hollandë, Gjermani dhe Belgjikë. Premiera amerikane solli aktorë të rinj çdo mbrëmje, duke i dhënë publikut mundësinë të shohë nga afër procesin e negociimit të kufijve fizikë dhe emocionalë në skenat intime.
Shfaqja sjell një kast të spikatur me emra të njohur të skenës dhe ekranit. Pas performancës së Carla Gugino dhe Arian Moayed, në rolet kryesore u ngjitën në skenë Elliot Page dhe John Cameron Mitchell, ndërsa netët në vijim do të prezantojnë Constance Wu, Morgan Spector, Chris Perfetti dhe Brandon Flynn.
Roli i koordinatorëve të intimitetit
Ideja e shfaqjes lindi në vitin 2019, në një moment kur profesionistët e intimitetit po bëheshin standard në industrinë e artit, si reagim ndaj skandaleve dhe akuzave për keqtrajtime në skenë dhe film.
“Që në fillim kuptova çfarë kërkese e madhe ishte kjo për aktorët,” tha Emilie Pine, dramaturge dhe profesore teatri që bashkëpunoi në shkrimin e tekstit. Aktorët punonin në një mënyrë krejtësisht të re, pa prova dhe me improvizim emocional në kohë reale.
Shfaqja është e konceptuar që gabimet të jenë pjesë e lojës. Në Evropë, aktorët kanë rrëzuar rekuizitën, kanë harruar rreshta ose kanë qeshur gjatë skenave delikate. Por regjisori Ben Kidd këmbëngul se është e pamundur të gabosh në një shfaqje të papërgatitur: “I jep aktorit lirinë të mos dijë çfarë po vjen dhe ta shijojë mungesën e sigurisë. Është një makinë e vogël e ndërtuar për t’u dhënë dy aktorëve kënaqësi.”
Një sfidë e sinqertë dhe e zhveshur nga artificat
Patën edhe disa të papritura gjatë performancës. Në fillim, të dy aktorët dubluan me zë një udhëzim skenik, ndërsa përpiqeshin të ambientoheshin me zërat që dëgjonin në kufje. Më vonë, një skenë me seks oral përfundoi me të qeshura spontane, të cilat nuk ishin pjesë e skenarit.
Megjithatë, ata arritën t’i përballonin me sukses udhëzimet e njëpasnjëshme: iu kërkua të kërcenin, të mbushnin gotat me verë, të futeshin nën mbulesa, të përqafoheshin në mënyrë të sikletshme dhe të shiheshin me dashuri.
Pati momente ku ata dukeshin si kukulla të regjisorëve, por Gugino tha se përjetimi kishte qenë shumë më i thellë.
“Po të ndihesha thjesht sikur më shtynin e më komandonin, do të isha shkëputur krejt,” tha ajo. “Por kjo, në njëfarë mënyre, më futi më thellë brenda procesit.”
Megjithë pasigurinë, performanca u zhvillua me intensitet emocional dhe publiku mund të shihte në kohë reale procesin e krijimit të intimitetit skenik, të balancuar midis kontrollit teknik dhe improvizimit emocional.
“Good Sex” tregon jo vetëm artin e interpretimit, por edhe krijimin e besimit — aty ku skena intime bëhet laborator i vulnerabilitetit dhe respektit profesional.

(Burimi: The New York Times)






