Policia britanike ka sekuestruar rreth 25 kilogramë “pluhur majmuni”, një drogë sintetike haluҫinogjene, me vlerë rreth 1.5 milion paund, gjatë një operacioni në qytetin Stoke-on-Trent, në Anglinë qendrore.
Sipas Policisë së Staffordshire, droga u gjet në një furgon të parkuar në zonën e Longton. Substanca e sekuestruar klasifikohet si drogë e Klasit B sipas ligjit britanik.
Policia deklaroi se autoritetet janë të vendosura të veprojnë ashpër kundër rrjeteve që furnizojnë këtë substancë të rrezikshme. “Ne do të vazhdojmë të godasim ata që përfshihen në shpërndarjen e pluhurit të majmunit, duke ndihmuar njëkohësisht përdoruesit – shpesh persona të pambrojtur – të marrin mbështetjen që u nevojitet,” u shpreh drejtuesi i policisё.
Çfarë është “pluhuri i majmunit”?
“Pluhuri i majmunit” është një drogë sintetike e prodhuar në laborator. Tregtarët e shesin si zëvendësim për speed-in, ekstazinë apo kokainën. Zakonisht paraqitet si pluhur i bardhë ose i verdhë dhe përdorimi i tij mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.
Substanca mund të thithet me hundë, të gëlltitet, apo të tymoset, dhe ndonëse mund të shkaktojë ndjesi euforie, ajo shoqërohet me rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë ankth ekstrem, paranojë, kriza, si dhe dëmtime të zemrës.
Ministri britanik për Policinë, Chris Philp, paralajmëroi se drogat sintetike po shkaktojnë pasoja të rënda sociale. “Këto substanca shkatërrojnë jetë, familje dhe komunitete. Ato prodhohen në laboratorë dhe shpërndahen në lagjet tona, ndaj ligjet duhet të ecin në hap me evolucionin e tyre,” tha ai.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar personat përgjegjës për transportin dhe shpërndarjen e drogës.
(Burimi: BBC)






