Nga kontrasT.al
Në heshtje, pa shumë zhurmë politike dhe larg konferencave për integrimin, Këshilli i Ministrave ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”. Një projektligj që, në letër, i hap derën Shqipërisë për një nga format më të sofistikuara të organizimit të biznesit në Bashkimin Evropian. Një ligj që supozohet të tregojë se vendi është gati të presë kapitalin evropian, të flasë gjuhën juridike të tregut të përbashkët dhe të ofrojë siguri për investitorët ndërkufitarë.
Publikuar në Regjistrin Elektronik të Konsultimeve Publike, projekti paraqitet si një hap teknik, thuajse neutral. Por sapo lexohen nenet, kuptohet se kemi të bëjmë me diçka më shumë se një akt harmonizimi: kemi një përpjekje për ta futur Shoqërinë Evropiane në kornizën shqiptare të administrimit, aty ku çdo lëvizje kalon nga sporteli dhe çdo liri fillon me një certifikatë.
Projektligji për Statutin e Shoqërive Evropiane është shkruar me shumё seriozitet, me gjuhë të kujdesshme dhe me pretendimin për harmonizim të plotë me të drejtën e Bashkimit Evropian. Në letër, gjithçka duket e rregullt. Në praktikë, Evropa kupton se liria e vendosjes, përpara se të jetë e lirë, duhet të jetë e certifikuar.

Shoqëria Evropiane pranohet, por vetëm pasi të ketë kaluar nëpër QKB.
Kapitali minimal prej 120 mijë eurosh e bën shoqërinë të duket serioze, e denjë për tregun evropian. Por serioziteti financiar nuk e shpëton nga filozofia vendase: je i lirë të lëvizësh, për sa kohë ke njoftuar, ke publikuar, ke pritur dhe ke marrë përgjigje. Dhe nëse nuk ke marrë përgjigje, nuk ke pritur mjaftueshëm.
SE-ja, në teori, mund të transferojë selinë nga një shtet në tjetrin si pjesë e tregut të përbashkët. Në Shqipëri, kjo lëvizje shndërrohet në proces. Me plane, raporte, ekspertë të pavarur, afate dy mujore, garanci për kreditorë, të drejta për aksionarët minoritarë dhe, në fund, një certifikatë nga QKB që të lejon të ikësh. Ose më saktë: të tentosh të ikësh.
Evropa lëviz shpejt. Shoqëria Evropiane në Shqipëri lëviz me procesverbal.
Në këtë ligj, QKB-ja nuk është thjesht një regjistër. Është syri që vëzhgon “drejtimin qendror” të shoqërisë. Është institucioni që vendos nëse je ende këtu apo ke filluar të mendosh largimin. Dhe mendimi, në këtë rast, është i rrezikshëm. Nëse drejtimi qendror del jashtë territorit pa bekimin procedural, ligji ka zgjidhje: likuidimin.
Mesazhi është i qartë, edhe pse nuk thuhet kurrë troç: Evropë, je e mirëpritur. Por mos u bëj shumë evropiane.
Edhe kur Shoqëria Evropiane arrin të transferojë selinë në një shtet tjetër, ligji nuk e lë të ikë plotësisht. Për çdo problem të së shkuarës, për çdo konflikt të lindur përpara largimit, ajo do të konsiderohet ende si shoqëri shqiptare. Një formë juridike e atdhedashurisë së detyruar: ik, por mbetesh i yni.
Projektligji kujdeset për aksionarët, për kreditorët, për punëmarrësit, për organet drejtuese, për raportet, për konfidencialitetin, madje edhe për heshtjen pas largimit. Mbron gjithçka. Përveç shpejtësisë. Përveç thjeshtësisë. Përveç idesë që biznesi evropian nuk funksionon me pritje të gjata dhe interpretim sporteli.
Në një moment, ligji bëhet edhe nostalgjik. Flet për publikime në “Gazetën Zyrtare të Komuniteteve Evropiane”, një emërtim që Bashkimi Evropian e ka lënë pas prej vitesh. Një detaj i vogël, por domethënës: edhe kur flasim për Evropën, shpesh flasim me terminologji të vjetër.
Kulmi vjen në fund. Një nen i veçantë, i qetë, pa ironi, por me efekt të fortë: në ditën që Shqipëria anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ky ligj shfuqizohet. Pra, ligji që ndërtohet për të afruar Shqipërinë me Evropën, premton vetëshuarje në momentin që Evropa bëhet e prekshme pёr ne.
Një ligj tranzitor për një tranzicion që zgjat.
Madje, edhe teknikisht, teksti nuk i shpëton zakonit shqiptar tё gabimeve: dy nene me të njëjtin numër, njëri për shfuqizimin në ditën e anëtarësimit, tjetri për hyrjen në fuqi. Një detaj redaktimi, ndoshta. Mё shumё se një detaj redaktimi, ёshtё një pasaktësi që flet vetë.
Në fund, Shoqëria Evropiane në Shqipëri mbetet ajo që jemi mësuar të shohim: evropiane në ambicie, shqiptare në procedurë. Publikon shumë, lëviz ngadalë dhe mendon gjatë përpara se të ndryshojë adresë.
Mirë se erdhe, Shoqëri Evropiane. Evropë je. Por këtu, edhe Evropa mëson të presë.

© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






