Autoritetet amerikane kanë ndërmarrë një veprim të fortë ndaj familjarëve të ish-komandantit iranian Qassem Soleimani, duke arrestuar mbesën dhe stërmbesën e tij pasi u është hequr statusi i qëndrimit të përhershëm në SHBA.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari Marco Rubio ka revokuar “green card”-ët për Hamideh Soleimani Afshar dhe vajzën e saj, të cilat tashmë ndodhen në paraburgim pasi u kapën nga agjentët e emigracionit (ICE).
Në deklaratën zyrtare thuhet se Afshar mbështeste qeverinë iraniane dhe propagandën e saj, ndërsa bashkëshorti i saj është ndaluar gjithashtu të hyjë në territorin amerikan.
Ky zhvillim vjen në një moment tepër të tensionuar, ndërsa lufta SHBA–Izrael kundër Iranit ka hyrë në javën e gjashtë, duke shënuar një përshkallëzim të dukshëm edhe në politikat e brendshme të sigurisë dhe emigracionit.
Po ashtu, Departamenti i Shtetit bëri të ditur se më herët gjatë këtij muaji është ndërprerë statusi ligjor edhe për Fatemeh Ardeshir-Larijani, vajza e politikanit iranian Ali Larijani, së bashku me bashkëshortin e saj. Të dy nuk ndodhen më në SHBA dhe u është ndaluar hyrja në të ardhmen.
Administrata e Donald Trump në mandatin e tij të dytë ka shtuar ndjeshëm masat ndaj emigrantëve që konsiderohen rrezik për sigurinë kombëtare, duke intensifikuar deportimet dhe revokimin e statuseve ligjore.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime serioze, duke paralajmëruar për rrezik të lirisë së shprehjes dhe shkelje të procedurave ligjore. Në disa raste të fundit, persona të ndaluar nga ICE janë liruar me vendime gjykatash, çka tregon një përplasje të vazhdueshme mes politikave të forta të administratës dhe sistemit gjyqësor.
Rasti i familjarëve të Soleimanit shihet si një sinjal i qartë se tensionet gjeopolitike po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në territorin amerikan, duke prekur drejtpërdrejt individë të lidhur me figurat kyçe të Iranit.
(Burimi: CNN)






