Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë të premten një raund të ri bisedimesh në Oman, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugëdalje për programin bërthamor të Teheranit dhe heqjen e sanksioneve.
Sipas burimeve diplomatike, ndërmjetës nga Katari, Turqia dhe Egjipti u kanë paraqitur palëve një kornizë me parime kyçe për një marrëveshje të mundshme. Propozimi parashikon që Irani të ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit për tre vite dhe më pas ta kufizojë atë nën 1.5%. Gjithashtu, rezervat aktuale të uraniumit të pasuruar – rreth 440 kilogramë në nivel 60% – mund të transferohen në një vend të tretë.
Korniza shkon përtej çështjes bërthamore, duke përfshirë kufizime për përdorimin e raketave balistike dhe ndalimin e furnizimit me armë për aleatët rajonalë të Iranit. Po ashtu është propozuar edhe një marrëveshje “mosagresioni” mes Uashingtonit dhe Teheranit, megjithëse ende nuk dihet si janë pritur këto ide nga dy qeveritë.
Para takimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se përparimi real kërkon që në tryezë të jenë si programi bërthamor, ashtu edhe kapacitetet raketore të Iranit. “Preferojmë të takohemi dhe të flasim. Nuk jam i sigurt nëse mund të arrihet një marrëveshje, por do ta provojmë,” deklaroi ai.
Bisedimet zhvillohen në një klimë mosbesimi të thellë. Negociatat e mëparshme u ndërprenë pas sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë konfliktit me Izraelin. Ndërkohë, Uashingtoni këmbëngul që Irani të mos ketë asnjë kapacitet për pasurimin e uraniumit, një kërkesë që Teherani e ka refuzuar vazhdimisht.
Aktualisht, Irani ka pasuruar uranium deri në 60%, afër nivelit të përdorur për armë bërthamore, duke u bërë i vetmi shtet pa program zyrtar armësh që arrin këtë nivel, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Marrëveshja origjinale e vitit 2015 lejonte pasurim vetëm deri në 3.67%, por SHBA u tërhoq nga ajo në vitin 2018.
Në prag të negociatave, autoritetet iraniane publikuan edhe një listë me mbi 3,100 persona të vrarë gjatë protestave të fundit antiqeveritare, ndërsa familjarët kanë ngritur dyshime për mungesë transparence dhe përjashtim të disa viktimave.
Takimi në Oman shihet si një test i rëndësishëm për të kuptuar nëse palët mund të gjejnë terren të përbashkët apo nëse përplasja për programin bërthamor do të vazhdojë.
(Burimi: Al Jazeera)






