Shtetet e Bashkuara pritet të tërheqin plotësisht rreth 1,000 trupat e mbetura në Siri brenda dy muajve të ardhshëm, raportoi Wall Street Journal, duke cituar tre zyrtarë amerikanë.
Sipas burimeve, forcat amerikane kanë përfunduar tashmë tërheqjen nga garnizoni strategjik Al Tanf, i vendosur në pikën kufitare mes Sirisë, Jordanisë dhe Irakut, si dhe nga baza Al Shaddadi në verilindje të Sirisë, në fillim të këtij muaji. Tërheqja nga pozicionet e tjera pritet të përmbyllet gradualisht gjatë javëve në vijim.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se ky vendim nuk lidhet me rritjen e pranisë detare dhe ajrore të SHBA-së në Lindjen e Mesme, e cila është parë si përgatitje për skenarë të mundshëm përballjeje me Iranin.
Lëvizja shënon një ndryshim të rëndësishëm në praninë ushtarake amerikane në Siri, ku trupat kanë qenë të angazhuara prej vitesh në operacione kundër grupeve terroriste dhe në stabilizimin e zonave të caktuara.
(Burimi: ANSA / Wall Street Journal)






